Evropa duhet “të rritet” e ta shtojë përkrahjen për Ukrainën pas ndryshimit të Trumpit, thotë Gjermania - NACIONALE

Evropa duhet “të rritet” e ta shtojë përkrahjen për Ukrainën pas ndryshimit të Trumpit, thotë Gjermania

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Evropa duhet “të rritet” dhe ta shtojë përkrahjen për Ukrainën, pas komenteve të presidentit amerikan, Donald Trump, i cili i dha mbështetje Kievit për ta rikthyer tërë territorin e pushtuar nga Rusia, tha të mërkurën ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul.

Duke folur në radion “Deutschlandfunk”, kryediplomati gjerman tha se Trumpi ka kuptuar se vetëm përpjekjet e tij kishin dështuar që ta bindnin homologun rus, Vladimir Putin, për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Komentet e Trumpit në rrjetin “Truth Social” shënuan një ndryshim të madh dhe të befasishëm të qëndrimit të presidentit amerikan, i cili më parë e kishte shtyrë Ukrainën që të dorëzonte territor për t’i dhënë fund luftës, ndërsa muajin e kaluar ia shtroi tepihun e kuq Putinit në Alaskë të ShBA-së.

Evropianët në mënyrë të përsëritur kanë thënë se “ne vërtet duam të rritemi... Ne duhet të bëhemi më sovranë” – tha ministri gjerman.

“Për këtë arsye, ne duhet të shikojmë se çfarë mund të bëjmë vetë. Mund të arrijmë shumë më shumë. Jo të gjitha shtetet evropiane e kanë përmbushur atë që ia kanë premtuar Ukrainës. Ne duhet të shikojmë se çfarë opsionesh të tjera financiare e ushtarake kemi” – shtoi Wadephul.

Sipas tij, komentet e Trumpit janë të mira për Ukrainën dhe Evropën, pasi presidenti “duhet vërtet të pranojë se përpjekjet e tij të konsiderueshme me Putinin deri më tani kanë qenë të pasuksesshme”. Sidoqoftë, zyrtari i lartë gjerman shtoi se shtimi i përpjekjeve të Evropës për sigurinë nuk do të jetë i lehtë.

Duke folur me agjencinë “Reuters” në kushte anonimiteti, dy zyrtarë paralajmëruan se Trumpi mund të jetë duke sinjalizuar se tani do t’i përkasë Evropës që ta ndihmojë Ukrainën.

Një diplomat i lartë nga Evropa Lindore tha se komentet e Trumpit për Ukrainën kanë për qëllim të tregojnë një ndryshim pozicioni dhe të dëshmojnë se “ai po fillon të çangazhohet duke e dërguar porosinë se kjo është çështje e Evropës”.

Lajme të ngjashme