Evakuohen tre persona nga anija e goditur nga hantavirusi, Spanja: Ajo mund të ankorohet - NACIONALE

Evakuohen tre persona nga anija e goditur nga hantavirusi, Spanja: Ajo mund të ankorohet

4 muaj më parë

nga NACIONALE

Tre persona që dyshohen si të infektuar me hantavirus, përfshirë një mjek britanik, janë evakuuar në mënyrë mjekësore nga një anije.

Anëtari britanik i ekuipazhit, bashkë me një koleg holandez dhe një pasagjer tjetër, u morën nga anija “MV Hondius” me flamur holandez për udhëtim të mëtejmë në Holandë, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë, shkruan gazeta “The Guardian”.

Zyrtarët shëndetësorë spanjollë thanë se mjeku britanik është në gjendje më stabile, pasi fillimisht kishte qenë në gjendje kritike.

OBSh-ja thotë se janë gjithsej tetë raste, pesë prej tyre të konfirmuara.

Evakuimi do të thotë se anija, me afro 150 njerëz në të, tani mund ta vazhdojë lundrimin treditor drejt Ishujve Kanari, pasi autoritetet spanjolle i dhanë leje që të ankorohet.

Megjithatë, ka shpërthyer një mosmarrëveshje, pasi presidenti i Ishujve Kanari shprehu shqetësim për ankorimin e anijes në Tenerife.

Një çift holandez dhe një shtetas gjerman, të cilët ndodheshin në anije, kanë vdekur, ndërsa një shtetas britanik ndodhet në kujdes intensiv mjekësor në Afrikën e Jugut.

Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, tha se Britania ka qenë duke punuar me vende të tjera për t’i lehtësuar evakuimet dhe se stafi i Zyrës së Jashmte ishte në kontakt të drejtpërdrejt me shtetasit britanikë që ndodhen në anije.

Që nga konfirmimi i rasteve të para me hantavirus, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka theksuar se rreziku për publikun e gjerë është i ulët. Njerëzit zakonisht infektohen me hantavirus përmes kontaktit me brejtës të infektuar ose me urinën e tyre, ndërsa kalimi i virusit nga njeriu te njeriu është i rrallë./Nacionale

Lajme të ngjashme