Evakuohen studentët e parë nga Gaza për të studiuar në Britani
Një grup prej 34 studentësh në Gaza, të cilët janë pranuar në universitete britanike, janë evakuuar dhe pritet të arrijnë në Mbretërinë e Bashkuar brenda disa ditëve.
Kjo është hera e parë që nga fillimi i luftës që disa njerëz ndihmohen për t’u larguar nga enklava me qëllim të studimit në shtetin ishullor evropian, raporton televizioni BBC.
Ata tani ndodhen në një vend të tretë në rajon për kontrollimin e vizave biometrike para se ta përfundojnë udhëtimin drejt Britanisë.
Të gjithë 34 studentët kanë bursa të financuara plotësisht dhe kanë marrë mbështetje nga qeveria britanike për t’u larguar nga Gaza.
Ky grup, në mesin e të cilëve përfshihen të paktën katër studentë të mjekësisë, u asistuan për t’u larguar nga Rripi i Gazës të mërkurën.
Ata pritet të dërgohen në Britani në fillim të javës së ardhshme për t’i zënë vendet e tyre në universitete.
Njëri nga studentët e evakuuar i tha televizionit BBC se ata janë të lodhur, por mirë. 48 orët e fundit i përshkroi si “shumë intensive” dhe tha se ka qenë “sfiduese” që të lihen anëtarët e familjes dhe studentë të tjerë që ende po presin të evakuohen.
Më herët këtë javë, një grup i fëmijëve me sëmundje të rënda arritën në Britani nga Gaza për të marrë kujdes urgjent dhe të specializuar mjekësor./Nacionale