Eurozona bie në recesion, ekonomia u tkurr për dy tremujorë rresht
Eurozona ka rënë në recesion. Sipas të dhënave të reja, ekonomia e eurozonës është tkurrur për 0,1 për qind në tremujorin e parë të vitit.
Tkurrja në çerekun e parë të vitit erdhi pas një tkurrjeje tjetër prej 0,1 për qind në çerekun e fundit të vitit të kaluar, që do të thotë se ekonomia e eurozonës është tkurrur për dy tremujorë radhazi – definicion standard i recesionit, raporton gazeta “The Guardian”.
Prodhimi vendës bruto në Irlandë ra për 4,6 për qind në tremujorin e parë të këtij viti, edhe pse ekonomistët kanë hedhur dyshime nëse ky numër e pasqyron vërtet performancën e ekonomisë irlandeze.
Ekonomia e Lituanisë u tkurr për 2,1 për qind, ndërsa ekonomia e Holandës për 0,7 për qind.
Ekonomia më e madhe evropiane, Gjermania, pësoi tkurrje ekonomike prej 0,3 për qind dhe ndodhet në recesion.
Në krahasim me tremujorin e kaluar, Polonia e shënoi rritjen më të madhe të prodhimit vendës bruto (+3,8 për qind), ndërsa pas këtij shteti u radhitën Luksemburgu (+2,0 për qind) dhe Portugalia (+1,6 për qind).
Ekonomia e Evropës është goditur nga pasojat e luftës në Ukrainë, e cila ka shkaktuar rritje të çmimeve të energjisë dhe të ushqimit.
Këto rrethana kishin nxitur një varg rritjesh të shkallës së interesit, pasi Banka Qendrore Evropiane u përpoq që ta luftonte rritjen e inflacionit.
