Erdogani shpreson që rebelët sirianë të avancojnë, por e shqetëson diçka - NACIONALE

Erdogani shpreson që rebelët sirianë të avancojnë, por e shqetëson diçka

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, tha të premten se ai shpreson që rebelët sirianë do ta vazhdojnë avancimin e tyre kundër forcave të presidentit Bashar al-Assad në Siri, por shprehu shqetësim për ato që tha se janë organizata terroriste në mesin e tyre.

Erdogani tha para gazetarëve pas lutjeve të së premtes se është duke e ndjekur me kujdes nismën e rebelëve, për të cilën tha se është drejtuar nga kryeqyteti sirian. Megjithatë, ai la të kuptohej se kishte ndjenja të përziera, duke marrë parasysh disa forca që janë të përfshira në ofensivë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Caku është Damasku. Do të thosha se ne shpresojmë që ky avancim të vazhdojë pa asnjë problem. Megjithatë, përderisa kjo rezistencë atje me organizata terroriste është duke vazhduar, ne i kishim bërë një thirrje Assadit” – shtoi presidenti turk, duke iu referuar ofertave të tij më herët këtë vit për Assadin që të takoheshin dhe t’i normalizonin lidhjet pas më shumë se një dekade armiqësi.

“Këto avancime problematike që po vazhdojnë si tërësi në rajon nuk janë në mënyrën që ne e dëshirojmë, zemra jonë nuk i dëshiron këto. Fatkeqësisht, rajoni është në një nyjë” – tha më tej Erdogani, pa hyrë në hollësi.

Komentet e presidentit turk e nënvizojnë strukturën komplekse të forcave rebele që po luftojnë kundër forcave qeveritare të Assadit dhe besnikëritë e përziera në mesin e aktorëve në terren, përfshirë Turqinë.

Ankaraja me vite i ka përkrahur forcat opozitare që kanë synuar ta rrëzojnë Assadin e mbështetur nga Irani e Rusia, por gjithashtu i cilëson si terroriste disa organizata rajonale, përfshirë grupin Hayat Tahrir al-Sham (HTS), që është pjesë e forcave rebele.

Lajme të ngjashme