Erdogani pritet me nderime në Greqi, do ta nënshkruajë deklaratën e miqësisë turko-greke - NACIONALE

Erdogani pritet me nderime në Greqi, do ta nënshkruajë deklaratën e miqësisë turko-greke

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, u prit të enjten me nderime të larta në Athinë të Greqisë, ku fillimisht u takua me homologen greke, Katerina Sakellaropoulou.

Televizioni publik grek, ERT, raportoi se Erdogani i tha homologes greke që vizita e tij në Athinë e ndjell fillimin e një epoke të re mes dy vendeve, përcjell gazeta “The Guardian”.

“Besoj se ky samit do të jetë mundësi për një fillim të ri në marrëdhëniet mes Greqisë dhe Turqisë”- citohet të ketë thënë presidenti turk.

“Ministrat e dy vendeve do të kenë takime konstruktive. Do të diskutojmë se çfarë hapa mund të bëjmë në të gjitha çështjet. Përgatitjet janë bërë nga ministrat... Unë besoj se do të jetë më mirë për të ardhmen e të dyja palëve që të flasin duke e parë gotën gjysmë të mbushur”- shtoi ai.

Në anën tjetër, presidentja greke tha se pavarësisht nga dallimet që i ndajnë dy vendet, është jetike që të riparohen marrëdhëniet, duke i marrë parasysh ngjarjet që po shpalosen në rajon.

Erdogani dhe kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, pritet që të nënshkruajnë një deklaratë jo të detyrueshme për miqësi dhe marrëdhënie të mira fqinjësore më vonë të enjten.

Si pjesë e përpjekjeve për të promovuar agjendë pozitive të bisedimeve mes dy vendeve fqinje, kjo deklaratë cilësohet si domethënëse historikisht, sepse të dyja palët do ta deklarojnë qartazi përkushtimin e tyre ndaj parimeve të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, miqësisë dhe bashkëpunimit si dhe ndaj zgjidhjeve paqësore për dallimet ekzistuese, mbi bazën e së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara, raporton gazeta greke, “Ekathimerini”.

Palët do të pajtohen edhe për vazhdimin e dialogut të ndërtuar nga dy udhëheqësit më herët këtë vit në samitin e NATO-s në Lituani dhe gjatë një takimi në hapësirat e OKB-së në Nju-Jork, për bashkëpunim rreth agjendës pozitive dhe për bisedime rreth masave për ndërtimin e besimit.

Lajme të ngjashme