Erdogani e “harron” Mursin e Vëllazërisë Myslimane, e pret me nderime në Turqi Sisin e Egjiptit
Presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi, arriti të mërkurën në Ankara për bisedime me homologun turk, Rexhep Erdogan. Kjo është vizita e parë presidenciale nga një president egjiptian në Turqi në 12 vjet në kohën e përmirësimit të raporteve të ngrira për një kohë të gjatë mes dy fuqive rajonale.
Erdogani kishte udhëtuar në Kajro në shkurt, në udhëtimin e tij të parë në Egjipt nga viti 2012, duke bërë një hap të rëndësishëm drejt rindërtimit të marrëdhënieve që ishin tensionuar rëndë për një dekadë, raporton agjencia “Reuters”.
Raportet mes Ankarasë dhe Kajros kishin kolapsuar më 2013, pasi Sisi, atëherë komandant i ushtrisë, e kishte udhëhequr rrëzimin e Mohamed Mursi-t të Vëllazërisë Myslimane, aleat i Turqisë që ishte bërë presidenti i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike në Egjipt më 2012. Mursi e kishte vizituar Turqinë si president më 2012.
“Marrëdhëniet Turqi – Egjipt do të rishikohen në të gjitha aspektet e tyre dhe do të diskutohen të gjithë hapat e mundshëm të përbashkët në periudhën e ardhshme për ta zhvilluar bashkëpunimin” – tha të martën vonë zyra për komunikime e Presidencës së Turqisë.
“Do të jetë një shkëmbim pikëpamjesh për çështjet e tanishme rajonale dhe globale, sidomos për sulmet izraelite në Gaza dhe në territoret e pushtuara palestineze” – thuhet më tej në njoftim.
Një konferencë e përbashkët për gazetarë është caktuar për orën 17:00 sipas kohës lokale.
Në një deklaratë, Sisi tha se vizita e tij – dhe ajo e Erdoganit në shkurt – i tregojnë vullnetin e përbashkët të Ankarasë dhe Kajros për të nisur një fazë të re të miqësisë dhe bashkëpunimit.