Erdogan thotë se Bideni dhe ShBA-ja janë bashkëfajtorë në "krimet e luftës" të Izraelit në Gaza
Presidenti turk, Rexhep Erdogan, ka thënë se homologu i tij amerikan, Joe Biden, dhe administrata e tij janë bashkëfajtore në ato që ai i quajti krime lufte dhe shkelje të së drejtës ndërkombëtare nga Izraeli në konfliktin e Gazës. Ai bëri thirrje për sanksione kundër Izraelit.
Në një intervistë gjatë samitit të NATO-s në Uashington, Erdogani tha se “vrasja brutale” e civilëve nga Izraeli, sulmet e këtij shteti ndaj spitaleve, qendrave të ndihmave dhe në zona të tjera përbëjnë krime lufte, raporton agjencia “Reuters”.
“Administrata e ShBA-së, megjithatë, i shpërfill këto shkelje dhe i ofron Izraelit më së shumti përkrahje. Ata bëjnë kështu në kurriz të të qenët bashkëfajtorë në këto shkelje” – citohet të ketë thënë presidenti turk.
“Në këtë kryqëzim, kush çfarë lloji të sanksioneve do të vendosë kundër Izraelit për shkeljen e së drejtës ndërkombëtare? Kjo është pyetja e vërtetë dhe askush nuk po i përgjigjet asaj” – shtoi ai.
Izraeli vazhdimisht i ka mohuar akuzat se ka kryer krime lufte gjatë betejave kundër Hamasit në Rripin e Gazës dhe thotë se nuk i vë në shënjestër qëllimisht civilët.
Më shumë se 38 mijë palestinezë, shumica civilë, janë vrarë që nga fillimi i luftës më 7 tetor, sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza. Rreth 1.200 izraelitë u vranë gjatë sulmit të Hamasit që e nxiti luftën, sipas shifrave të autoriteteve izraelite.
Turqia, anëtare e NATO-s, e ka dënuar sulmin e Izraelit në Gaza, e ka ndërprerë tregtinë me këtë shtet dhe ka shprehur përkrahje për Hamasin. Ankaraja vazhdimisht i ka kritikuar vendet perëndimore për mbështetjen e tyre ndaj Izraelit dhe ka bërë thirrje që ky shtet të ndëshkohet nga gjykatat ndërkombëtare./Nacionale