“Erdogan, diktator”: Shpërthejnë protesta në Turqi pas arrestimit të kryetarit të Stambollit
Në Turqi kanë shpërthyer protesta, pasi autoritetet e ndaluan kryetarin e Stambollit, Ekrem Imamoglu, pak kohë para se ai të emërohej kandidat për president.
Imamoglu, anëtar i Partisë Popullore Republikane me qëndrime sekulariste, shihet si njëri nga rivalët më të fuqishëm politikë të presidentit Rexhep Erdogan, raporton televizioni BBC.
Prokurorët e akuzojnë atë për korrupsion dhe për ndihmë për një grup terrorist, duke e quajtur “udhëheqës të dyshuar të organizimit kriminal”.
Policia ka ndaluar 100 persona, përfshirë politikanë të tjerë, gazetarë e biznesmenë, si pjesë e hetimit, ndërsa zyra e guvernatorit të Stambollit ka vendosur kufizime në qytet për katër ditë.
Imamoglu tha se “vullneti i popullit nuk mund të heshtet”.
Protestuesit kanë dalë rrugëve, në kampuse universitare e në stacione nëntokësore. Turmat e njerëzve brohorisnin slogane kundër Qeverisë.
Pati raportime për përleshje mes protestuesve dhe policisë në qytetin më të madh të Turqisë. Në pamje të publikuara nga agjencia e lajmeve “Reuters” shihet policia duke përdorur sprej kundër syve për të shpërndarë turma njerëzish afër Universitetit të Stambollit.
Mijëra njerëz u mblodhën në mot të ftohtë para ndërtesës së komunës, duke brohoritur: “Erdogan, diktator!” dhe “Imamoglu, ti nuk je vetëm!”
Qeveria i ka ndaluar tubimet publike në Stamboll si pjesë e kufizimeve që do të jenë në fuqi për katër ditë, por më shumë protesta priten në mbarë vendin, përderisa udhëheqësit opozitarë, përfshirë bashkëshorten e Imamoglut, po u bëjnë thirrje njerëzve që “ta ngrenë zërin”.
Shumë rrugë në Stamboll janë mbyllur për qarkullim të automjeteve, ndërsa disa linja të metrosë gjithashtu i kanë anuluar shërbimet./Nacionale