Emisari Kellogg e tregon arsyen e vërtetë të marrëveshjes së ShBA-së me Bjellorusinë
Emisari i posaçëm amerikan i presidentit Donald Trump për Ukrainën, Keith Kellogg, ka folur për marrëdhëniet e vendit të tij me Bjellorusinë pas arritjes së një marrëveshjeje më herët këtë muaj mes dy vendeve për lirimin e disa të burgosurve politikë në këmbim të lehtësimit të disa sanksioneve ndaj Minskut.
Diplomati amerikan tha se fokusi i Shteteve të Bashkuara mbi presidentin bjellorus, Aleksander Lukashenko, është dhënë për shkak “ne e dimë që ai flet shumë me presidentin Putin”, raporton gazeta “The Guardian”.
“Por ne e bëmë këtë, vendosëm një marrëdhënie për t’u siguruar që linjat e komunikimit të jenë të hapura në mënyrë që të sigurohemi që të gjitha porositë tona po i dërgoheshin presidentit Putin. Kjo ishte arsyeja që e bëmë këtë. Nuk po futeshim në këtë fillimisht për t’i nxjerrë të burgosurit” – shtoi emisari amerikan.
Ai theksoi se suksesi për lirimin e disa të burgosurve politikë ishte një anë pozitive e marrëdhënieve, por se “objektivi i përgjithshëm i kësaj nuk ishte që të liroheshin të burgosurit politikë – objektivi i përgjithshëm ishte që të gjendet një zgjidhje për rrugën më të mirë që mund ta ndjekim për luftën mes Ukrainës e Rusisë”.
Kellogg-u më tej tha se fokusi i Shteteve të Bashkuara është që të sigurohen se “porositë që po i dërgohen Vladimir Putinit janë konsistente me porositë që u kanë shkuar qarqeve të tjera”.
“Nuk mërzitem nëse është Kirill Dmitrievi, s’mërzitem nëse është Ushakovi, s’mërzitem nëse është Lukashenko. Fakti është që të sigurohemi që ato porosi të përçohen” – shtoi emisari i Trumpit.
Ai gjithashtu tha se Shtetet e Bashkuara nuk janë “naive” sa i përket pushtetit të Lukashenkos dhe se “ne e dimë që nëse ai liron një [të burgosur], ndoshta kap dy të tjerë”.
Kellogg-u tha më tej se marrëveshja me Bjellorusinë u bë për ta ndihmuar kompaninë shtetërore bjelloruse “Belavia” që t’i rregullojë aeroplanët e saj, pasi “opsioni i parapëlqyer është që aeroplanët e tyre të mos rrëzohen nga qielli”, por që të bëhet e qartë se ata nuk duhet të përdoren për “qëllime të liga” dhe për të dërguar emigrantë në Evropë./Nacionale