Emisari i Trumpit për Ukrainën e cilëson të drejtë shqetësimin e Rusisë për zgjerimin e NATO-s
Keith Kellogg, emisar për Ukrainën i presidentit amerikan, Donald Trump, tha se shqetësimi i Rusisë për zgjerimin e NATO-s në lindje është i drejtë dhe se Shtetet e Bashkuara nuk duan ta shohin Ukrainën brenda aleancës.
I pyetur nga televizioni ABC për një raport të agjencisë “Reuters” se Rusia dëshiron një zotim me shkrim për moszgjerimin të NATO-s në lindje, ku do të përfshiheshin Ukraina dhe ish-republika të tjera socialiste, emisari amerikan tha: “Ky është një shqetësim i drejtë.”
“Ne kemi thënë se për ne, hyrja e Ukrainës në NATO nuk është në tavolinë dhe ne nuk jemi shteti i vetëm që e thotë këtë. E dini, ndoshta mund t’ju jap katër shtete të tjera në NATO dhe nevojiten 32 nga 32 që të lejohet hyrja në NATO. Kjo është njëra nga çështjet që Rusia do ta ngrejë” – tha Kelloggu të enjten vonë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Ata nuk po flasin vetëm për Ukrainën, po flasin për Gjeorgjinë, po flasin për Moldavinë” – shtoi emisari amerikan, duke theksuar se i përket presidentit Trump që të marrë vendim rreth pikëpamjeve të Shteteve të Bashkuara për zgjerimin e NATO-s.
Ai tha se kombinimi i bisedimeve të paqes do të përfshijë një përpjekje për t’i bërë bashkë dy memorandumet e draftuara nga Ukraina dhe Rusia në një dokument të vetëm me bisedimet në Turqi të hënën.
“Kur të shkojmë në Stamboll javën e ardhshme, do të ulemi e do të flasim” – tha Kellogu, duke shtuar se këshilltarë të sigurisë kombëtare nga Gjermania, Franca dhe Britania do të bëhen pjesë e diskutimeve me Shtetet e Bashkuara për memorandumin.
Sipas amerikanit, Trumpi është “i frustruar” me Rusinë, për shkak se ai ka parë “një nivel të paarsyeshmërisë” nga presidenti rus, Vladimir Putin. Ai e kritikoi Rusinë për sulmet ndaj qyteteve ukrainase dhe ka kërkuar nga Ukraina që të marrë pjesë në bisedime.
Emisari i Trumpit tha se, sipas një vlerësimi, gjithsej 1,2 milion njerëz nga të dyja palët janë vrarë ose janë plagosur gjatë luftës në Ukrainë. “Ky është një numër shokues – kjo është luftë në shkallë industriale” – tha Kelloggu./Nacionale