Emisari i OKB-së takohet me udhëheqësin e ri të Sirisë, kërkon tranzicion gjithëpërfshirës - NACIONALE

Emisari i OKB-së takohet me udhëheqësin e ri të Sirisë, kërkon tranzicion gjithëpërfshirës

1 vit më parë

nga NACIONALE

I dërguari i Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Geir Pedersen, bëri thirrje për tranzicion gjithëpërfshirës të mbështetur në një rezolutë 9-vjeçare të Këshillit të Sigurimit gjatë një takimi me komandantin e administratës së re siriane, Ahmed al-Sharaa, tha të hënën zyra e emisarit të OKB-së.

Komanda e Përgjithshme, që po e udhëheq Sirinë, në një deklaratë për takimin e së dielës me Pedersenin tha se dy figurat kishin diskutuar për nevojën që të rishikohej Rezoluta 2254 e Këshillit të Sigurimit, duke thënë se ajo duhet të përditësohet për “t’iu përshtatur realitetit të ri”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Ky takim e shënoi njërin nga kontaktet më të larta ndërkombëtare deri më tani për udhëheqësin e grupit Hayat Tahrir al-Sham (HTS), i cili ka dalë si fuqi e pushtetit në Damask që nga rrëzimi i ish-presidentit Bashar al-Assad para pak më shumë se një jave.

HTS-ja cilësohet grup terrorist nga fuqitë rajonale dhe perëndimore, përfshirë Turqinë, e cila për një kohë të gjatë ka qenë njëra nga mbështetëset kryesore të opozitës siriane.

Kryeministri i përkohshëm i emëruar rishtazi, Mohammed al-Bashir, i cili më parë ka udhëhequr një qeveri lokale në provincën Idlib, ka thënë se ai do ta mbajë këtë post deri në marsin e vitit të ardhshëm.

Pederseni e informoi al-Sharaan për rezultatin e një takimi ndërkombëtar të organizuar në Jordani të shtunën, thuhet në deklaratën e zyrës së tij.

“Emisari i posaçëm e theksoi qëllimin e Kombeve të Bashkuara për t’ia ofruar tërë asistencën popullit sirian” – thuhet më tej./Nacionale

Lajme të ngjashme