Emisari i i posaçëm i Putinit, Kirill Dmitriev, konfirmon se ndodhet në ShBA për një takim
Kirill Dmitriev, emisar i posaçëm i presidentit rus, Vladimir Putin, për investime dhe bashkëpunim ekonomik, të premten konfirmoi se ndodhej në Shtetet e Bashkuara për një takim të planifikuar kohë më parë, që, sipas emisarit, është dëshmi se dialogu ShBA – Rusi vazhdon.
“Ky takim imi ishte planifikuar para goxha kohe dhe pala amerikane nuk e anuloi atë, pavarësisht nga një numër i hapave jomiqësorë rishtazi. Ne do ta vazhdojmë dialogun” – tha Dmitrievi, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Presidenti amerikan, Donald Trump, këtë javë i goditi me sanksione dy kompanitë më të madhe ruse të naftës për ta shtyrë homologun rus që t’i japë fund luftës në Ukrainë.
Trumpi foli në telefon me Putinin javën e kaluar dhe tha se planifikonte që ta takonte së shpejti, por presidenti amerikan më pas e anuloi samitin, duke thënë se ai mund të mbahet në një kohë tjetër.
“Dialogu Rusi – ShBA do të vazhdojë, por sigurisht se është i mundshëm vetëm nëse interesat e Rusisë merren parasysh dhe trajtohen me respekt” – tha emisari i Putinit.
Ai refuzoi që të tregonte se me kë do të takohej, por parashikoi se sanksionet amerikane ndaj kompanive ruse të naftës do të kthehen bumerang.
“Ato vetëm do të çojnë në shtrenjtim të benzinës në pompat amerikane të karburantit” – tha Dmitrievi.
Duke cituar burime me njohuri rreth kësaj vizite, televizioni CNN raportoi më herët të premten se Dmitrievi pritet të takohet me zyrtarë të administratës së Trumpit “për t’i vazhduar diskutimet rreth marrëdhënies ShBA – Rusi”.
Mediumi amerikan “Axios” raporton se Dmitrievi do të takohet me emisarin e posaçëm të Trumpit, Steve Witkoff, të shtunën në Miami. Agjencia shtetërore ruse e lajmeve, TASS, e citoi Dmitrievin të ketë thënë se do të takohet edhe me persona të tjerë, të cilëve nuk ua përmendi emrat./Nacionale