Emisarët Witkoff e Kellogg të Trumpit pritet të shkojnë në Turqi për bisedimet Ukrainë – Rusi - NACIONALE

Emisarët Witkoff e Kellogg të Trumpit pritet të shkojnë në Turqi për bisedimet Ukrainë – Rusi

1 vit më parë

nga NACIONALE

Emisarët e lartë të presidentit Donald Trump të ShBA-së, Steve Witkoff e Keith Kellogg, do të udhëtojnë për në Stamboll për bisedime të mundshme të enjten rreth përfundimit të luftës së Rusisë në Ukrainë, thanë të martën tri burime të afërta me këto plane.

Megjithatë, një zyrtar i lartë i Shteteve të Bashkuara tha se ishte e paqartë nëse në bisedime do të marrë pjesë ndonjë zyrtar nga Rusia, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Shtëpia e Bardhë, Departamenti i Shtetit, Këshilli i Sigurisë Kombëtare dhe një zëdhënës i Witkoff-it nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment.

Presidenti amerikan tha të hënën se do të udhëtonte në Stamboll për takimin mes Ukrainës e Rusisë, nëse do të ishte e nevojshme. Ai këtë javë po zhvillon një vizitë në Lindjen e Mesme, ku do të takohet me zyrtarë nga Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari.

Zyrtarët amerikanë gjatë fundjavës i bënë thirrje Zelenskyt që të pajtohej për t’u takuar me Putinin sy më sy në Stamboll dhe t’i njoftonte planet e tij publikisht për të treguar haptas se donte bisedime me Moskën për një marrëveshje të paqes.

Zyrtarët amerikanë po shpresojnë se Rusia do të pajtohet për një armëpushim gjithëpërfshirës 30-ditor në tokë, ajër, det dhe për infrastrukturën kritike, thanë zyrtarë të lartë amerikanë, duke shtuar se Kievi tashmë është pajtuar se do të respektonte një pakt të tillë. Armëpushimi mbështetet edhe nga evropianët, thanë më tej zyrtarët.

Nëse Rusia nuk pajtohet për armëpushim, Bashkimi Evropian ka kërcënuar se do t’i vendosë më shumë sanksione Moskës, i thanë agjencisë “Reuters” një zyrtar i lartë amerikan dhe një zyrtar tjetër i lartë evropian. Zyrtari evropian tha se në pakon e sanksioneve do të shënjestrohej flota në hije e Rusisë./Nacionale

Lajme të ngjashme