Emiratet e Bashkuara pajtohen me Izraelin për ndihma urgjente në Gaza - NACIONALE

Emiratet e Bashkuara pajtohen me Izraelin për ndihma urgjente në Gaza

3 javë më parë

nga NACIONALE

Emiratet e Bashkuara Arabe thanë të martën se kanë arritur pajtim me Izraelin që të lejohet dërgimi i ndihmave urgjente humanitare në Gaza nga shteti i Gjirit Persik, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve WAM.

Presioni ndërkombëtar ndaj Izraelit është shtuar ditëve të fundit, pasi Qeveria e kryeministrit Benjamin Netanyahu nisi një ofensivë të përtërirë ushtarake në Gaza, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Marrëveshja për ndihma urgjente u arrit gjatë një telefonate mes ministrit të Jashtëm të Emirateve të Bashkuara, Sheikh Abdullah bin Zayed, dhe homologut të tij izraelit, Gideon Saar.

Sipas agjencisë WAM, ndihmat fillimisht do të përqendrohen te nevojat për ushqim të rreth 15 mijë civilëve në Gaza. Në to do të përfshihen edhe produkte esenciale për furrat e bukës dhe kujdesin ndaj foshnjave.

Më herët të martën, një zëdhënës i zyrës humanitare të OKB-së në Gjenevë tha se Izraeli kishte dhënë leje për hyrjen e rreth 100 kamionëve me ndihma në Gaza.

Kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, tha të martën se do të bëhet një rishikim i marrëveshjes tregtare të BE-së me Izraelin për shkak të situatës “katastrofale” në Gaza.

Izraeli thotë se planifikon që t’i intensifikojë operacionet ushtarake kundër Hamasit dhe ta marrë kontrollin e tërë Gazës.

Ushtria izraelite e njoftoi fillimin e një operacioni të ri javën e kaluar dhe mjekët në Gaza thonë se nga sulmet izraelite janë vrarë më shumë se 500 njerëz në tetë ditët e fundit.

Izraeli gjithashtu e ka bllokuar hyrjen e ilaçeve, ushqimit dhe karburantit në Gaza që nga fillimi i marsit, duke nxitur paralajmërime nga ekspertët për rrezikun e vdekjes së njerëzve nga uria, edhe pse disa kamionë me ndihma u lejuan të hynin të hënën dhe të martën./Nacionale

Lajme të ngjashme