Emiratet e Bashkuara mund ta ulin nivelin e lidhjeve diplomatike, nëse Izraeli e anekson Bregun Perëndimor
Emiratet e Bashkuara Arabe mund ta ulin nivelin e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin, nëse Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Benjamin Netanyahu anekson një pjesë ose tërë Bregun e pushtuar Perëndimor, sipas tri burimeve të afërta me qëndrimet e Abu Dabit.
Emiratet e Bashkuara janë në mesin e pak shteteve arabe që kanë marrëdhënie me Izraelin dhe ulja e nivelit të tyre do të ishte hap i madh prapa për Akordet e Abrahamit – arritje e presidentit Trump dhe e Netanyahut në politikën e jashtme, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Qeveria e Izraelit tashmë ka bërë hapa që mund ta paralajmërojnë aneksimin e Bregut Perëndimor, i cili është kapur bashkë me Jerusalemin Lindor në luftën e vitit 1967. Kombet e Bashkuara dhe shumica e shteteve e kundërshtojnë aneksimin.
Për Netanyahun, koalicioni qeveritar i të cilit mbështetet te partitë nacionaliste të krahut të djathtë, aneksimi i Bregut Perëndimor do të mund të shihej si i çmueshëm për të fituar vota para zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.
Emiratet e Bashkuara këtë muaj e paralajmëruan koalicionin qeveritar izraelit se çfarëdo aneksimi i Bregut Perëndimor do të ishte “vijë e kuqe” për Abu Dabin, por nuk treguan se çfarë masash do të pasonin.
Burimet i thanë agjencisë “Reuters” se Emiratet e Bashkuara, të cilat vendosën marrëdhënie diplomatike me Izraelin në vitin 2020 në kuadër të Akordeve të Abrahamit, janë duke e shqyrtuar tërheqjen e ambasadorit nga Tel-Avivi si pjesë e ndonjë kundërpërgjigjeje.
Duke folur në kushte anonimiteti, burimet thanë se Emiratet e Bashkuara nuk janë duke e shqyrtuar shkëputjen e plotë të marrëdhënieve me Izraelin, edhe pse tensionet janë shtuar gjatë luftës gati dyvjeçare në Gaza.
Një burim në Izrael tha se Qeveria beson se mund t’i riparojë marrëdhëniet e tensionuara me Emiratet e bashkuara, qendër e rëndësishme tregtie, që është parë si më e rëndësishmja në mesin e shteteve arabe që vendosën lidhje diplomatike me Izraelin në vitin 2020. Dy vende të tjera ishin Maroku dhe Bahrejni./Nacionale