Emergjencë me zjarre në Kanada, urdhërohet evakuimi i mijëra banorëve - NACIONALE

Emergjencë me zjarre në Kanada, urdhërohet evakuimi i mijëra banorëve

1 vit më parë

nga NACIONALE

Më shumë se 19 mijë njerëz në provincën Manitoba të Kanadasë po evakuoheshin të mërkurën, përderisa rajoni e përjetoi fillimin më të keq të sezonit të zjarreve në natyrë në disa vjet.

“Qeveria e Manitobas ka shpallur një gjendje të jashtëzakonshme në mbarë provincën për shkak të situatës me zjarret në natyrë” – tha kryetari i provincës, Wak Kinew, në një konferencë për gazetarë. “Ky është evakuimi më i madh që Manitoba do ta ketë parë në kujtesën jetësore të shumicës së njerëzve” – shtoi ai, shkruan gazeta “The Guardian”.

Më tej, ai tha se kishte kërkuar nga kryeministri kanadez, Mark Carney, që të dërgonte ushtarë për të ndihmuar në procesin e evakuimit dhe shuarjes së zjarreve.

Sipas tij, aeroplanë ushtarakë do të dislokohen “menjëherë” për ta mbështetur operacionin e largimit të njerëzve nga zonat e largëta e të rrezikuara veriore për në vende të sigurta, bashkë me burime shtesë të zjarrfikësve.

Kriza klimatike i ka bërë zjarret në natyrë në Kanada më të shpeshta e më intensive. Shteti me sipërfaqe gjigante është goditur nga zjarre shkatërruese viteve të fundit, përfshirë vitin 2023, kur ishin regjistruar zjarret më shkatërruese ndonjëherë.

Tani janë 134 zjarre aktive në mbarë Kanadanë, përfshirë provincat Alberta, Kolumbia Britanike, Saskatchewan, Manitoba dhe Ontario. Gjysma e këtyre zjarreve konsiderohen si jashtë kontrollit.

Në evakuime përfshihet qyteza Flin Flon, ku pesë mijë banorëve iu kërkua më herët që të bëheshin gati për t’u larguar, pasi një zjarr i madh në natyrë po i afrohej vendbanimit.

Edhe banorëve të disa qytezave të tjera të largëta e komuniteteve indogjene u është thënë që të largohen nga shtëpitë e tyre. Shumica e të evakuuarve pritet të dërgohen në kryeqytetin provincial, Winnipeg./Nacionale

Lajme të ngjashme