Eksportimi i pjesëve të F-35-ave nga Britania në Izrael ishte i ligjshëm, thotë Gjykata e Lartë - NACIONALE

Eksportimi i pjesëve të F-35-ave nga Britania në Izrael ishte i ligjshëm, thotë Gjykata e Lartë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Vendimi i Britanisë për ta lejuar eksportimin e pjesëve të aeroplanëve luftarakë F-35 në Izrael, pavarësisht pranimit se ato mund të përdoreshin në kundërshtim me të drejtën humanitare ndërkombëtare në Gaza, ishte i ligjshëm, vlerësoi të hënën Gjykata e Lartë e Londrës.

“Al-Haq”, grup me bazë në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, kishte ndërmarrë veprime ligjore kundër Departamentit për Biznes dhe Tregti të Britanisë për vendimin e tij që të përjashtoheshin pjesët e këtyre aeroplanëve, kur kishte pezulluar disa licenca për eksportimin e armëve vitin e kaluar, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Britania e Madhe kishte vlerësuar se Izraeli nuk ishte i përkushtuar ndaj respektimit të së drejtës ndërkombëtare, në lidhje me qasjen në ndihmat humanitare dhe trajtimin e të ndaluarve, si bazë për vendimin rreth pezullimit të disa licencave.

Megjithatë, Britani vendosi që t’i përjashtonte nga pezullimi licencat për pjesët e aeroplanëve F-35. Qeveria kishte thënë se pezullimi i tyre do të pengonte një program global që ofron pjesë të këtyre aeroplanëve dhe do të kishte efekt zinxhiror ndaj sigurisë ndërkombëtare.

Çfarëdo vendimi i tillë do ta “minonte besimin e ShBA-së në Britaninë dhe në NATO-n” – tha Ministria e Mbrojtjes.

Grupi “Al-Haq” argumentoi në një seancë dëgjimore muajin e kaluar se vendimi ishte i paligjshëm, pasi binte në kundërshtim me detyrimet e Britanisë sipas së drejtës ndërkombëtare, përfshirë Konventën e Gjenevës.

Megjithatë, Gjykata e Lartë e hodhi poshtë këtë pretendim në një vendim me shkrim./Nacionale

Lajme të ngjashme