Ekonomia gjermane u tkurr në çerekun e fundit të vitit 2023
Ekonomia gjermane shënoi tkurrje në tre muajt e fundit të vitit të kaluar, tha të martën zyra e statistikave.
Ekonomistët po parashikojnë që ekonomia më e madhe e Evropës do të hyjë në një recesion tjetër teknik në çerekun e parë të këtij viti, raporton agjencia “Reuters”.
Prodhimi vendës bruto u tkurr për 0,3 për qind në çerekun e katërt të vitit 2023 në krahasim me çerekun e tretë, në vijë me pritjet e analistëve, sipas një ankete të agjencisë “Reuters”.
Ekonomia gjermane u tkurr për 0,3 për qind gjatë vitit të kaluar, për shkak të inflacionit të vazhdueshëm, çmimeve të larta të energjisë dhe kërkesës së dobët nga jashtë.
Megjithatë, për shkak se GDP-ja ngeci në çerekun e dytë dhe atë të tretë, ekonomia më e madhe e eurozonës arriti që të shmangte një recesion tjetër teknik, që zakonisht përcaktohet si dy çerekë radhazi me tkurrje ekonomike.
Kjo nuk pritet të zgjasë shumë, sepse institute “Ifo” parashikoi të martën rënie prej 0,2 për qind të GDP-së në çerekun e parë të këtij viti.
“Konsumi privat, në të cilin po llogarisin optimistët, ka zhgënjyer deri në fund”- tha ekonomisti i bankës “Commerzbank”, Joerg Kraemer.