Ekonomia e Turqisë u rrit më pak se që pritej në çerekun e tretë
Ekonomia e Turqisë u rrit për vetëm 2,1 për qind në çerekun e tretë të vitit, më pak sesa pritej, përderisa kërkesa u dobësua, sidomos në sektorin e shërbimeve, nën peshën e shkallës së lartë të interesit, tregohet në të dhënat e së premtes.
Prodhimi vendës bruto në çerekun e tretë u tkurr për 0,2 për qind në krahasim me tremujorin e dytë në bazën sezonale dhe të përshtatur me kalendar, sipas të dhënave të Institutit Statistikor të Turqisë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ekonomia turke është ftohur përballë fushatës së ashpërsimit monetar që nisi në qershorin e vitit 2023. Banka Qendrore i ka rritur shkallët e interesit në 50 për qind, nga 8,5 për qind, me qëllim që të frenohet inflacioni, i cili muajin e kaluar e kaloi shifrën prej 48 për qind.
Aktiviteti më i ngadalshëm ekonomik se që ishte parashikuar mund t’i përforcojë pritjet në rritje për zvogëlim të shkallës së interesit në dhjetor.
Në një sondazh të agjencisë “Reuters”, ishte parashikuar që ekonomia turke të rritej për 2,6 për qind në çerekun e tretë për shkak të kërkesës së brendshme më të ngadalshme. Rritja vjetore pritet të jetë 3 për qind, duke u mbështetur në medianën e sondazhit, në krahasim me parashikimin qeveritar për rritje prej 3,5 për qind.
Trendi i rritjes së prodhimit vendës bruto viteve të fundit në Turqi ka qenë mes 4 e 5 për qind. Sidoqoftë, niveli është ftohur gjatë tërë vitit 2024 dhe ekonomistët presin që ky trend të vazhdojë deri në fund të vitit./Nacionale