Ekipi i Trumpit po i shqyrton bisedimet e drejtpërdrejta me Kimin e Koresë Veriore
Ekipi i presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, është duke e diskutuar mundësinë për bisedime të drejtpërdrejta me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, duke shpresuar se një shtytje e re diplomatike mund ta ulë rrezikun për konflikt të armatosur, sipas dy personave të afërt me këtë çështje, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Disa pjesëtarë të ekipit të Trumpit tani shohin një qasje të drejtpërdrejtë nga Trumpi, si shtesë ndaj një marrëdhënieje që tashmë ekziston, si më të mundshmen për ta thyer akullin me Kimin, disa vjet pas shkëmbimit të fyerjeve mes dy udhëheqësve dhe pas atyre që Trumpi i kishte quajtur letra “të bukura” në një përpjekje të pashembullt diplomatike gjatë mandatit të tij të parë në krye të Shtëpisë së Bardhë, thanë dy burimet e agjencisë së njohur të lajmeve.
Diskutimet për politika ende nuk kanë marrë formë dhe nuk është marrë ndonjë vendim përfundimtar nga presidenti i zgjedhur, shtuan burimet.
Ekipi i tranzicionit i Trumpit nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
Se si do t’i përgjigjet Kimi Trumpit, nuk është e qartë. Koreanoveriorët shpërfillën katër vjet të ofertës së presidentit amerikan, Joe Biden, për të filluar bisedime pa parakushte dhe Kimi është trimëruar nga një arsenal i zgjeruar raketor dhe nga marrëdhënia shumë më e ngushtë me Rusinë.
“Ne tashmë kemi shkuar aq larg sa mundemi rreth bisedimeve me Shtetet e Bashkuara” – tha Kimi në një fjalim javën e kaluar në një ekspozitë ushtarake në Penjan, sipas mediave shtetërore.
Gjatë mandatit të parë në Shtëpinë e Bardhë, Trumpi ishte takuar tri herë me Kimin: në Singapor, në Hanoi dhe në kufirin mes dy Koreve, hera e parë që një president amerikan kishte shkelur në këtë shtet.
Sidoqoftë, diplomacia mes dy udhëheqësve nuk prodhoi rezultate, edhe pse Trumpi i kishte përshkruar bisedimet si rënie “në dashuri”. Shtetet e Bashkuara bënë thirrje që Koreja e Veriut të hiqte dorë nga armët bërthamore, ndërsa Kimi kërkoi heqje të plotë të sanksioneve, pastaj lëshoi kërcënime të reja./Nacionale