Egjipti i dërgon armë Somalisë, reagon Etiopia
Një luftanije egjiptiane e ka dërguar grumbullin e dytë të armëve në Somali, ku përfshihen armë kundërajrore dhe artileri, thanë të hënën zyrtarë ushtarakë dhe të portit në Mogadishu. Ky veprim pritet të nxisë më shumë fërkim mes këtyre dy vendeve dhe Etiopisë, që reagoi të martën.
Lidhjet mes Egjiptit dhe Somalisë janë forcuar këtë vit falë mosbesimit të tyre të përbashkët ndaj Etiopisë, duke e nxitur Kajron që të dërgojë disa aeroplanë me armë në Mogadishu, kryeqytet i Somalisë, pasi dy vendet nënshkruan një pakt sigurie në gusht, raporton agjencia “Reuters”.
Etiopia e kishte zemëruar Somalinë duke u pajtuar për një marrëveshje preliminare në janar me rajonin separatist, Somaliland, që të marrë tokë në shfrytëzim për një port në këmbim të njohjes së mundshme të pavarësisë nga Somalia.
Egjipti, në mosmarrëveshje me vite me Etiopinë për shkak të ndërtimit të një dige të madhe në Lumin Nil, e ka dënuar marrëveshjen me Somalilandin.
Luftanija egjiptiane e filloi shkarkimin e armëve të dielën, tha një diplomat. Forcat e sigurisë i bllokuan limanin dhe rrugët afër tij të dielën dhe të hënën, ndërsa autokolonat i bartën armët deri te një ndërtesë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe në baza të afërta ushtarake, i thanë agjencisë “Reuters” dy zyrtarë ushtarakë dhe dy punëtorë të portit.
Somalilandi u shpreh i shqetësuar se armët mund të përfundojnë në duar të gabuara, përfshirë grupin al Shabaab, që është i lidhur me al Qaedan, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme.
“Një dërgesë e ndihmës ushtarake egjiptiane ka arritur në kryeqytetin somalez, Mogadishu, për t’i mbështetur dhe ndërtuar kapacitetet e ushtrisë somaleze” – tha të hënën në një deklaratë Ministria e Jashtme e Egjiptit.
Mediat egjiptiane raportuan të dielën se ambasada e Egjiptit në Mogadishu i kishte paralajmëruar shtetasit egjiptianë që të mos udhëtojnë në Somaliland për shkak të situatës së sigurisë në rajon.
Ministri i Jashtëm i Etiopisë, Taye Atskeselassie, ka shprehur shqetësim se municioni që është dërguar në Somali mund të përfundojnë në duart e terroristëve, raportuan të martën mediat shtetërore etiopiane.
Kryediplomati etiopian tha se ishte i shqetësuar që ofrimi i municionit nga “forcat e jashtme e përkeqësojnë më tej sigurinë e brishtë dhe do të përfundonin në duart e terroristëve në Somali”, raportoi Agjencia e Lajmeve e Etiopisë./Nacionale