Edhe ShBA-ja thotë se aeroplani në Kazakistan mund të jetë rrëzuar nga sistemi kundërajror rus
Rusia dhe Kazakistani janë munduar që t’i minimizojnë spekulimet rreth rrëzimit të aeroplanit të kompanisë “Azerbaijan Airlines” në Kazakistan, por një zyrtar amerikan ka thënë se shenjat e para tregojnë që një sistem kundërajror rus mund ta ketë goditur aeroplanin.
Pohimi erdhi pasi një zyrtar ukrainas i sigurisë kombëtare dhe disa burime në Azerbajxhan pretenduan se aksidenti që la të vdekur 38 njerëz u shkaktua nga zjarri i mbrojtjes ajrore ruse, raporton gazeta “The Guardian”.
Aeroplani, që po fluturonte nga kryeqyteti azer, Baku, për në qytetin rus, Grozny, u rrëzua në një fushë afër qytetit Aktau në Kazakistan pasi e kishte devijuar rrugën e planifikuar për qindra kilometra. 29 persona mbijetuan.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha të enjten se është duke u zhvilluar hetim për shkaktarin e aksidentit, duke shtuar se do të ishte “gabim” që të spekulohet para se të përmbyllet hetimi.
Edhe kryetari i Senatit të Kazakistanit theksoi se shkaktari i aksidentit mbetej i panjohur. “Asnjëri prej këtyre shteteve – as Azerbajxhani, as Rusia, as Kazakistani – nuk është i interesuar për t’i fshehur informacionet. Të gjitha informacionet do të bëhen të qasshme për publikun” – tha ai, duke i përshkruar si “joetike” pretendimet se zjarri i mbrojtjes ajrore e kishte shkaktuar aksidentin.
Sidoqoftë, një zyrtar amerikan të enjten i tha agjencisë së lajmeve “Reuters” se shenjat e para janë që një sistem kundërajror rus mund ta ketë goditur aeroplanin. Këtë vlerësim e dhanë edhe katër burime në Azerbajxhan. Të gjitha burimet, që kishin njohuri për hetimin, thanë se aeroplani është rrëzuar nga një sistem rus i mbrojtjes ajrore.
Njëri nga burimet i tha agjencisë “Reuters” se rezultatet preliminare tregojnë që aeroplani ishte goditur nga sistemi rus i mbrojtjes ajrore, “Pantsir-S”, dhe se sistemi i tij i komunikimit ishte paralizuar nga sistemet elektronike të luftës me t’u afruar te qyteti Grozny.
“Askush nuk pretendon se kjo u bë qëllimisht. Megjithatë, duke i marrë parasysh faktet e vendosura, Bakuja pret që pala ruse të rrëfehet për rrëzimin e aeroplanit azer” – tha burimi.