Edhe një zjarr tjetër në natyrë jashtë kontrollit në Los Angeles të ShBA-së - NACIONALE

Edhe një zjarr tjetër në natyrë jashtë kontrollit në Los Angeles të ShBA-së

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një zjarr që po përhapej shpejt shpërtheu të martën në verilindje të Los Angelesit të Shteteve të Bashkuara, disa orë pasi një zjarr tjetër përfshiu një lagje përgjatë bregdetit, duke shkatërruar shumë shtëpi e duke nxitur urdhra për evakuim për dhjetëra mijëra njerëz.

Zjarri “Eaton” në Altadena nisi afër një rezervuari natyror pak para orës 18 e 30 minuta. Flaka u përhap aq shpejt, saqë stafi i një qendre për kujdesin ndaj të moshuarve u desh të nxirrte dhjetëra banorë përmes karrocave e shtretërve me rrota nëpër një rrugë e drejt një parkingu, ku ata pritën që të vinin autoambulancat e automjetet e tjera, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Në perëndim, zjarri në lagjen Pacific Palisades, që nisi të martën në mëngjes, doli jashtë kontrollit natën.

Departamenti i Zjarrfikësve i Los Angelesit u bëri apel zjarrfikësve jashtë detyrës që të ofronin ndihmë për ta luftuar flakën që po nxitej nga era që e arriti shpejtësinë deri në 97 kilometra në orë në disa vende dhe krijoi skena kaotike, përderisa banorët po iknin.

Zjarri në Pacific Palisades përfshiu një kodër në Los Angeles ku ka rezidenca të figurave të famshme, duke djegur shtëpi e duke e nxitur lëshimin e urdhrave për evakuim.

Kolona e automjeteve në Palisades ua pamundësoi automjeteve të emergjencës arritjen te zjarret dhe një buldozer u soll për t’i shtyrë automjetet e braktisura anash rrugës për të krijuar hapësirë, sipas zjarrfikësve.

Lajme të ngjashme