Edhe Izraeli pranon se është pajtuar për armëpushim me Iranin - NACIONALE

Edhe Izraeli pranon se është pajtuar për armëpushim me Iranin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Izraeli ka konfirmuar se është pajtuar me propozimin e Shteteve të Bashkuara për armëpushim dypalësh me Iranin, por paralajmëroi se do të “kundërpërgjigjet me forcë” ndaj çfarëdo shkeljeje të paktit.

Zyra e Kryeministrit tha në një deklaratë se kryeministri Benjamin Netanyahu u takua me kabinetin qeveritar, ministrin e Mbrojtjes, komandantin e ushtrisë dhe kreun e shërbimit sekret Mossad “për të raportuar se Izraeli i kishte arritur të gjitha objektivat e Operacionit Luani në Ngritje dhe shumë më shumë”.

“Izraeli ka hequr një kërcënim të dyfishtë të menjëhershëm ekzistencial – fushën bërthamore dhe fushën e raketave balistike” – thuhet më tej në deklaratë, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Sipas deklaratës, “Forcat e Mbrojtjes të Izraelit arritën kontroll të plotë ajror mbi qiejt e Teheranit, i shkaktuan dëm të rëndë udhëheqjes ushtarake dhe shkatërruan dhjetëra caqe të qeverisë qendrore të Iranit”.

“Izraeli i falënderon presidentin Trump dhe Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e tyre në mbrojtje dhe për pjesëmarrjen e tyre në eliminimin e kërcënimit bërthamor iranian” – thuhet tutje.

“Pas arritjes së objektivave të operacionit dhe në bashkërendim të plotë me presidentin Trump, Izraeli është pajtuar me propozimin e presidentit për një armëpushim dypalësh” – tha Zyra e Kryeministrit, duke shtuar se Izraeli “do t’i kundërpërgjigjet me forcë çfarëdo shkeljeje të armëpushimit”.

Presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi më herët se kishte hyrë në fuqi armëpushimi mes Izraelit dhe Iranit, pak kohë pasi të paktën katër njerëz u vranë në Beersheba të Izraelit, kur një raketë balistike iraniane goditi një ndërtesë banimi.

Lajme të ngjashme