“E sheh si aset”: Ish-ekspertja e Shtëpisë së Bardhë tregon pse Rusia e do fitoren e Trumpit - NACIONALE

“E sheh si aset”: Ish-ekspertja e Shtëpisë së Bardhë tregon pse Rusia e do fitoren e Trumpit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti rus, Vladimir Putin, “e ka pasur numrin [e telefonit të Donald Trumpit] për ca kohë... di se si ta manipulojë atë” dhe ende e sheh “si aset”, ka thënë ish-ekspertja për Rusinë e Shtëpisë së Bardhë, Fiona Hill, duke diskutuar për këto dy figura.

“Kjo është në mënyrë të fjalëpërfjalshme karta Trump [ e Putinit]”- tha zonja Hill në “One Decision Podcast” të Jane Ferguson e Sir Richard Dearlove, ish-udhëheqës i shërbimit britanik të inteligjencës, MI6, kur u pyet nëse mendon që presidenti rus, Vladimir Putin, i ngecur në luftën e Ukrainës, është duke vënë bast në mposhtjen e presidentit Joe Biden nga Trumpi vitin e ardhshëm dhe rikthimin e tij në pushtet, raporton gazeta “The Guardian”.

Ajo shtoi: “Parashikimi që Trumpi do të kthehet për Putinin është diçka si lehtësim... Ai mund të luajë me këtë. Ai mund ta shfrytëzojë këtë si një lloj paralajmërimi... t’i frikësojë ukrainasit, evropianët, pjesën tjetër të botës. Putini ka goxha besim, duke i marrë parasysh përvojat e tij me Trumpin në të kaluarën, se Trumpi do të jetë i shpejtë për ta zgjidhur... luftën në Ukrainë në favor të tij.”

“Dhe, e dini, qartazi, Putini e ka pasur numrin e Trumpit për ca kohë, ai di se si ta manipulojë atë... ai ka qenë shumë i mirë në artin e lajkave me Trumpin. E sheh Trumpin si aset në shumë aspekte”- shtoi ish-zyrtarja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të ShBA-së.

Nga viti 2017 deri më 2019, zonja Hill ishte ndihmëse e lartë për Siguri Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë që udhëhiqej nga Trumpi. Ajo mori vëmendje, kur u paraqit si dëshmitare gjatë hetimit të parë kundër Trumpit për synimin që ta shantazhonte Ukrainën për t’u hedhur baltë rivalëve politikë. Në vitin 2013, ajo e publikoi librin “Z. Putin: Operativi në Kremlin”, studim që është vlerësuar lart.

Zonja Hill tha më tej se Putini ndjeu gjithnjë më shumë një mundësi për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë në favorin e tij.

“Unë dhe shumë kolegë të tjerë tashmë po dërgojmë sinjale të vogla për të parë nëse Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimi janë të gatshëm për të biseduar”- tha ajo, duke shtuar se kjo “sugjeron që Rusia do ta shihte këtë gjë të përfunduar, por... tërësisht sipas kushteve të Putinit: pa kthim të territorit, mundësi për t’i bërë presion Ukrainës në aspekt afatgjatë dhe qartazi jo dëmshpërblime”.

I vlerësuar gjerësisht si figurë që aspiron për t’u bërë autokrat, Trumpi rregullisht i lavdëron Putinin dhe udhëheqësit e tjerë autokratë.

Javën e kaluar në New Hampshire, Trumpi para përkrahësve të tij tha: “Putini i Rusisë thotë se... “përndjekja e motivuar politikisht e rivalit të tij politik” nga Bideni është shumë mirë për Rusinë, sepse kjo e dëshmon kalbësinë e sistemit politik amerikan, që nuk mund të pretendojë t’i mësojë të tjerët për demokraincë”. Pra, ne flasim për demokracinë, por e tërë bota po e shikon përndjekjen e një kundërshtari politik që po e rreh prapa**cën [e Bidenit].”

Zonja Hill tha se Trumpi “mund të jetë i jashtëzakonshëm, i paparashikueshëm... Putini ndoshta duhet të ecë me shumë kujdes, në të vërtetë, të mos e fyejë atë dhe disi të mos i kalojë vijat e kuqe, [sepse] Trumpi... jeton për veten”.

“Në çfarëdo rasti, gjithçka që Trumpi e zëvendëson ose që vetë Trumpi thotë për NATO-n [ai ka kërcënuar se do ta tërheqë ShBA-në nga aleanca], për Evropën dhe për sigurinë evropiane, për botën dhe çështjet globale, për Ukrainën, gjithçka që është duke ndodhur në Capitol Hill... për Putinin, kjo është thjesht një shenjë për të se përsëri, gjithçka do të ndryshojë shpejt në drejtimin e tij, në favorin e tij”- shtoi zonja Hill.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme