E rrallë: Një ministër në Singapor akuzohet për korrupsion, jep menjëherë dorëheqje
Ministri i Transportit i Singaporit, S. Iswaran, është akuzuar për 27 shkelje gjatë një hetimi për marrje ryshfeti, tha të enjten agjencia kundër korrupsionit në qendrën e zhvilluar financiare.
Në një letër të dorëheqjes, e cila e mban datën 16 janar, por që u publikua nga zyra e kryeministrit të enjten, ministri tha se i refuzon akuzat dhe “tani do të përqendrohet në pastrimin e emrit të tij”, raporton agjencia “Reuters”.
Byroja për Hetimin e Praktikave Korruptive tha se ministri, i cili ishte arrestuar në korrik të vitit të kaluar, dyshohet të ketë pranuar përfitime me vlerë të mbi 384 mijë dollarëve të Singaporit nga biznesmeni i pasur i pronave, Ong Beng Seng, pjesërisht për t’i çuar përpara interesat e biznesit të tij.
Në aktakuzë thuhet se në mesin e favoreve ishin biletat për ndeshje futbolli, një fluturim me aeroplanin privat të Ongut dhe biletat për ta shikuar garën me vetura, Formula 1.
Ministri ballafaqohet me gjithsej 27 akuza, përfshirë korrupsionin dhe pengimin e rrjedhës së drejtësisë, thuhet në një deklaratë të agjencisë kundër korrupsionit.
Nëse dënohet për korrupsion, ai mund të gjobitet me një shumë deri në 100 mijë dollarë të Singaporit ose të dënohet me shtatë vite burgim.