“E krijove uraganin”: Meteorologët amerikanë kërcënohen me vdekje pas teorive konspirative - NACIONALE

“E krijove uraganin”: Meteorologët amerikanë kërcënohen me vdekje pas teorive konspirative

1 vit më parë

nga NACIONALE

Meteorologët që kanë qenë duke e përcjellë lëvizjen e uraganit “Milton” janë vënë në shënjestër të shumë teorive konspirative se gjoja ata ishin duke e kontrolluar motin. Ata madje janë kërcënuar me vdekje.

Meteorologët thonë se bëhet fjalë për shtim të pashembullt të dezinformatave në kohën kur Shtetet e Bashkuara u goditën nga dy uragane të mëdha, raporton gazeta “The Guardian”.

Niveli i dezinformatave, që është nxitur nga kandidati republikan për president të ShBA-së, Donald Trump, dhe ndjekësit e tij, ka qenë aq i lartë, saqë e ka penguar aftësinë për t’i ndihmuar komunitetet e goditura nga uragani, sipas drejtoreshës së Agjencisë Federale për Menaxhimin e Emergjencave.

Katie Nickolaou, meteorologe me bazë në Michigan, tha se ajo dhe kolegët e saj kanë pësuar shumë nga këto teori konspirative, duke marrë mesazhe se gjoja ato janë urgane të kategorisë së gjashtë, se meteorologët ose qeveria po i krijon dhe po i drejton uraganet dhe madje edhe që shkencëtarët duhet të vriten dhe radarët duhet të shkatërrohen.

“Kurrë nuk kam parë që një stuhi të grumbullojë kaq shumë dezinformata, ne vetëm kemi qenë duke fikur zjarre të informimit të gabuar kudo” – tha Nickolaou.

“Disa njerëz më kanë thënë se unë e krijova dhe e drejtova uraganin, ka njerëz që pretendojnë se ne e kontrollojmë motin. Unë kam qenë e detyruar që të theksoj se një uragan e ka energjinë e 10 mijë bombave bërthamore dhe ne nuk mund të shpresojmë që ta kontrollojmë atë, por është bërë një kthesë drejt retorikës më të dhunshme, sidomos me njerëz që thonë se ata që e krijuan [uraganin] Milton duhet të vriten” – shtoi ajo.

Lajme të ngjashme