E konfirmon Waltz-i: ShBA-ja ka bërë një hap prapa rreth ndarjes së inteligjencës me Ukrainën - NACIONALE

E konfirmon Waltz-i: ShBA-ja ka bërë një hap prapa rreth ndarjes së inteligjencës me Ukrainën

1 vit më parë

nga NACIONALE

Këshilltari amerikan për siguri kombëtare, Mike Waltz, ka thënë se vendi i tij “ka bërë një hap prapa” rreth ndarjes së të dhënave të inteligjencës me Ukrainën.

Duke folur para gazetarëve, zyrtari i lartë tha se Shtetet e Bashkuara do t’i “pauzojnë dhe rishikojnë të gjitha aspektet e kësaj marrëdhënie”, raporton televizioni BBC.

Ai tha se ka biseduar përmes telefonit me homologun e tij ukrainas, përcjell gazeta "Nacionale".

Sipas Waltz-it, ata patën “bisedë të mirë” për lokacionin dhe substancën e rundit të ardhshëm të bisedimeve.

Zyrtari amerikan tha se do të ketë lëvizje “shumë shpejt”.

Më herët, gazeta “Financial Times” raportoi se Shtetet e Bashkuara e kanë ndërprerë ndihmën për Ukrainën në fushën e inteligjencës.

Mediumi britanik, “GB News”, raportoi se ShBA-ja ia ka ndaluar edhe Britanisë së Madhe ndarjen e inteligjencës ushtarake me Ukrainën.

Ndërkohë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha të mërkurën në rrjete sociale se dëshiron ta shohë “fundin e luftës një herë e përgjithmonë”.

Ai tregoi se ka zhvilluar një bisedë telefonike me kancelarin gjerman në largim, Olaf Scholz.

“Ne mbështetemi në unitetin e Evropës për Ukrainën dhe po punojmë drejt tij. Ne të gjithë duam një të ardhme të sigurt për njerëzit tanë” – shtoi presidenti ukrainas./Nacionale

Lajme të ngjashme