E djathta ekstreme e Francës kërcënon se do ta votojë rrëzimin e Qeverisë
Partia franceze e së djathtës ekstreme, Tubimi Kombëtar, do të votojë për rrëzimin e Qeverisë së kryeministrit Michel Barnier, përpos nëse ndodh një “mrekulli e minutës së fundit” përmes plotësimit të kërkesave të opozitës rreth buxhetit, tha kryetari i kësaj partie, Jordan Bardella.
Tubimi Kombëtar, në përkrahjen e heshtur të së cilit mbështetet koalicioni i brishtë qeveritar, i kishte dhënë afat Barnierit deri të hënën që t’i plotësojë kërkesat e partisë opozitare – përfshirë ato rreth ngritjes së pensioneve – ose në të kundërtën do të ballafaqohej me përkrahjen e një mocioni të mosbesimit që do të çonte në rrëzimin e Qeverisë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Mocioni i mosbesimit mund të mbahet të mërkurën. Asnjë qeveri franceze nuk është rrëzuar përmes mocionit të mosbesimit që nga viti 1962.
Nëse ai vëren se nuk ka përkrahje të mjaftueshme për ta miratuar projektligjin e buxhetit, kryeministri Barnier mund të vendosë që t’i shfrytëzojë kompetencat agresive kushtetuese për ta çuar atë përpara, gjë që në mënyrë të pashmangshme do ta nxiste mocionin e mosbesimit nga e majta.
Partitë mund ta çojnë përpara mocionin e mosbesimit, edhe nëse Barnieri nuk e shfrytëzon të ashtuquajturën procedura 49.3 dhe të vazhdojë me votimin e projektligjit për siguri sociale.
Barnieri tashmë hoqi dorë nga rritja e planifikuar e taksave ndaj energjisë elektrike javën e kaluar, veprim që Tubimi Kombëtar e ka cilësuar si fitore, por partia e zonjës Marine Le Pen gjithashtu kërkon që ai t’i rrisë pensionet në vijë me inflacionin, ndërsa ai ka synuar që t’i rrisë disa prej tyre më pak se inflacioni për të kursyer mjete.