E çuditshme: Pse vendimi i GjND-së për Gazën u mirëprit nga Izraeli, Palestina e Afrika e Jugut?
Një vendim historik nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për një rast kundër Izraelit, ku ky shtet akuzohet për gjenocid, të premten u mirëprit nga tri palët kryesore të përfshira në të: Izraeli, Afrika e Jugut dhe palestinezët, edhe pse askujt nuk iu dha ajo që e kishte kërkuar.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, me seli në Hagë të Holandës, e urdhëroi Izraelin që “t’i marrë të gjitha masat” për ta parandaluar gjenocidin në Gaza, pasi Afrika e Jugut e kishte akuzuar Izraelin për shkelje të ligjit ndërkombëtar për gjenocidin përmes luftës së tij në enklavë, raporton televizioni CNN.
GjND-ja e refuzoi kërkesën e Izraelit që rasti të hidhej poshtë, por gjithashtu nuk e urdhëroi Izraelin që ta ndalte luftën në Gaza, siç kishte kërkuar Afrika e Jugut.
“Do të kisha dashur një armëpushim” – tha ministrja e Jashtme e Afrikës së Jugut, Naledi Pandor, pas leximit të vendimit të gjykatës. Megjithatë, ajo shtoi se ishte e kënaqur me rezultatin.
Rasti i paraqitur nga Afrika e Jugut në GjND e shënon herën e parë që Izraeli dërgohet para kësaj gjykate nën akuzat për shkeljen e Konventës së OKB-së Kundër Gjenocidit, e cila ishte miratuar pjesërisht për shkak të vrasjes masive të hebrenjve në Holokaust, gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Megjithatë, shumë izraelitë të premten e cilësuan vendimin e gjykatës si fitore për shtetin e tyre. Eylon Levi, zëdhënës qeveritar izraelit, tha se GjND-ja “e hodhi poshtë kërkesën qesharake [të Afrikës së Jugut] për t’i thënë Izraelit që t’i ndalë mbrojtjen e popullit të vet dhe luftimin për pengjet”. Avi Mayer, ish-kryeredaktor i gazetës “Jerusalem Post”, e quajti vendimin “goditje shkatërruese ndaj atyre që e akuzojnë shtetin hebraik për “gjenocid”.
“Gjëja më dramatike është që nuk u dha urdhër për armëpushim”- tha Shelly Aviv Yeini, shefe e departamentit të së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Haifas në Izrael, duke shtuar se një urdhër i mundshëm për armëpushim ishte frika më e madhe e Izraelit, sidomos për shkak se do të vinte në kohën kur mbi 100 pengje izraelite ndodhen ende në Gaza.
Sipas saj, diskursi në Izrael deri më tani është përqendruar vetëm te përfundimi i luftës pas lirimit të pengjeve, duke shtuar se Izraeli “do të kishte vështirësi për të jetuar” me një urdhër armëpushimi që nuk e garanton kthimin e pengjeve.
“Pra, mendoj se ky është një rezultat goxha i pritshëm dhe diçka të cilën Izraeli do të mund ta respektojë”- tha zonja Yeini, duke shtuar se urdhri i gjykatës që Izraeli ta mundësojë shpërndarjen e ndihmave humanitare dhe të raportojnë në GjND për veprimet e tij është “i zbatueshëm”.
“Ditë e errët” në historinë e Izraelit
Edhe pse disa po e shohin vendimin e GjND-së si në favor të Izraelit, ekspertët kanë paralajmëruar për dëmtimin e reputacionit me të cilin ballafaqohet shteti.
“Nuk do ta quaja fitore, por do të thosha se ka mundur të jetë më keq” – tha Robbie Sabel, profesor i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin Hebraik të Jerusalemit. “Fakti që në sytë e publikut do të jetë një ndërlidhje që aktet e Izraelit do të mund të çonin te gjenocidi, kjo qartazi është e dëmshme për marrëdhëniet publike”- shtoi ai.
Yeini tha se kjo është "ditë shumë e errët” në historinë e Izraelit.
Ministri i Jashtëm palestinez, Riyad Al-Maliki, të premten e mirëpriti vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke thënë se tani ekzistojnë detyrime të qarta ligjore për ta ndalur “luftën gjenocidale” të Izraelit ndaj popullit palestinez në Gaza.
Megjithatë, për disa palestinezë, vendimi i GjND-së nuk ka shkuar mjaftueshëm larg.
Mohammed el-Kurd, aktivisht palestinez nga Jerusalemi, tha se GjND-ja dështoi në “kërkesën më të rëndësishme” të Afrikës së Jugut për pezullimin e operacioneve ushtarake.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli