Dyshohet se një aktiviste afgane është përdhunuar në grup në një burg të talibanëve - NACIONALE

Dyshohet se një aktiviste afgane është përdhunuar në grup në një burg të talibanëve

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Gazeta e njohur britanike, “The Guardian”, ka parë dëshmi të përdhunimit në grup dhe torturimit të një aktivisteje afgane të të drejtave të njeriut në një burg të talibanëve nga burra të armatosur.

Ka pasur raportime të shumta se dhuna seksuale po u shkaktohet grave dhe vajzave që po mbahen në ndalim në Afganistan, por kjo video duket se është dëshmia e parë e drejtpërdrejtë se këto krime po ndodhin, raporton e përditshmja britanike.

Sipas aktivistes, pamjet e incizuara me telefon mobil më vonë iu dërguan asaj si kërcënim që videoja do të shpërndahej më shumë, nëse ajo do të vazhdonte të fliste kundër regjimit të talibanëve.

Në incizimin e shikuar nga gazeta “The Guardian”, gruaja e re shihet duke u incizuar dhe duke i thënë që t’i hiqte rrobat. Pastaj përdhunohet disa herë nga dy burra.

Gruaja në video – e incizuar me telefon nga njëri prej burrave të armatosur – mundohet që ta mbulojë fytyrën me duar. Njëri nga burrat e shtyn gruan fort, kur ajo ngurron, përderisa ai i jep urdhra.

Në një moment asaj i thuhet: “Je *irë nga amerikanët tërë këto vite dhe tani është radha jonë.”

Gruaja ka thënë se ishte arrestuar për pjesëmarrje në një protestë publike kundër talibanëve dhe ishte përdhunuar gjatë mbajtjes në ndalim në një burg të talibanëve. Ajo tashmë është larguar nga Afganistani.

Ajo tha se pasi kishte folur kundër talibanëve në ekzil, iu dërgua videoja dhe iu tha se nëse vazhdonte që ta kritikonte regjimin, videoja do t’i dërgohej familjes së saj dhe do të shpërndahej në rrjete sociale.

“Nëse vazhdon të thuash ndonjë gjë të keqe për Emiratin Islam [Afganistanin], ne do ta publikojmë videon tënde” – rrëfeu t’i kenë thënë asaj.

Gruaja beson se sulmi u incizua qëllimisht për t’u përdorur për t’ia mbyllur gojën dhe për ta turpëruar. Personi që e incizonte sulmin, e mori pamjen e gruas së zhveshur. Asaj i shihet fytyra dhe është e identifikueshme.

Javën e kaluar, gazeta britanike publikoi rrëfime të vajzave e grave të reja afgane, të cilat thanë se ishin sulmuar seksualisht dhe ishin rrahur, pasi ishin ndaluar sipas ligjit për hixhabin në Afganistan./Nacionale

Lajme të ngjashme