Dy të vrarë nga të shtënat në Auckland të Zelandës së Re
Së paku dy persona janë vrarë në qendrën e qytetit Auckland të Zelandës së Re, disa orë para se në këtë qytet të hapet Kupa e Botës në futbollin e femrave.
Gjashtë persona të tjerë, përfshirë disa policë, janë plagosur, ndërsa sulmuesi është i vdekur. Për incidentin u raportua se ndodhi në orën 7 e 22 minuta të mëngjesit sipas kohës lokale në një kantier ndërtimi në distriktin qendror biznesor.
Kryeministri i vendit, Chris Hipkins, tha se sulmi nuk ishte duke u parë si akt terrorizmi dhe se Kupa e Botës në futbollin e femrave do të zhvillohet sipas planit, raporton televizioni BBC.
Përderisa nuk është identifikuar asnjë motiv politik ose ideologjik për këtë sulm, policia e ka neutralizuar rrezikun dhe publiku mund të sigurohet që nuk ka rrezik të vazhdueshëm, shtoi kryeministri.
Sipas kryetarit të qytetit, i tërë personeli i FIFA-s dhe ekipet e futbollit janë të sigurta dhe dihet gjendja e tyre. Më herët, ai i paralajmëroi njerëzit që të qëndronin në shtëpi dhe ta shmangnin udhëtimin për në qytet.
FIFA shprehu ngushëllime për familjet e viktimave dhe tha se ishte në komunikim me autoritetet e Zelandës së Re.
Ndeshja e parë e kampionatit pritet të luhet në stadiumin “Eden Park” mes Zelandës së Re dhe Norvegjisë.