Dy të vrarë nga sulmet ruse në Ukrainë, disa shtëpi kaplohen nga zjarri
Forcat ruse kryen një sulm të madh të martën herët në qytetin jugor ukrainas, Zaporizhia, duke lënë të vrarë një burrë 41-vjeçar, duke lënë të lënduar të paktën 18 të tjerë dhe duke shkaktuar disa zjarre, tha guvernatori rajonal.
Ivan Federovi tha se dy fëmijë ishin në mesin e të lënduarve. Në fotografi të publikuara nga guvernatori shihen zjarrfikës duke luftuar me flakën në shtëpi private dhe ndërtesa të tjera, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Në Zaporizhia, shërbimet emergjente ukrainase raportuan për një zjarr që mbulonte një zonë prej 350 metrash katrorë në tri ndërtesa banimi dhe në një stacion shërbimesh.
Sipas raportimeve preliminare, tha Federovi, forcat ruse kishin kryer dhjetë sulme nga disa raketahedhës, duke dëmtuar 10 blloqe banesore dhe 12 shtëpi private.
“Dëgjova disa shpërthime në largësi, shumë larg, prandaj shkuam për të fjetur. Pastaj ndodhi një shpërthim super i fortë, që i theu xhamat në dritaret tona” – tha një banor në Zaporizhia, 35-vjeçari Oleksi.
“Dola menjëherë jashtë dhe vrapova te fqinjët për ta shuar zjarrin. Isha shumë i brengosur për ta” – shtoi ai.
Qytete të tjera ukrainase në qendër, jug dhe lindje të vendit gjithashtu ishin nën sulm, përderisa trupat ruse hodhën mbi 100 dronë e 150 bomba gjatë natës, sipas presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Një person u vra në rajonin jugor Mykolaiv, tha Zelensky. Dy persona u lënduan në qytetin Kharkiv në pjesën verilindore, sipas zyrtarëve rajonalë./Nacionale