Dy të vrarë e pesë të plagosur nga të shtënat në një ceremoni diplomimi në ShBA - NACIONALE

Dy të vrarë e pesë të plagosur nga të shtënat në një ceremoni diplomimi në ShBA

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Dy persona janë vrarë dhe pesë të tjerë janë plagosur nga të shtënat që ndodhën gjatë ceremonisë së diplomimit të nxënësve në një shkollë të mesme në Virgjinia të Shteteve të Bashkuara.

Nxënësit e veshur me rroba ceremoniale vrapuan për të shpëtuar nga plumbat, raportojnë mediet amerikane. Zyrtarët e shkollës thanë se të shtënat ndodhën gjatë ceremonisë së diplomimit të nxënësve të Shkollës së Mesme “Huguenot”.

Një ceremoni tjetër e planifikuar për të martën është shtyer, ndërsa procesi mësimor për të mërkurën është anuluar, raporton televizioni BBC.

Policia tha se të vrarët janë një djalë 18-vjeçar, i cili ishte pjesë e ceremonisë së diplomimit, si dhe babai i tij. Autoritetet ende nuk e kanë publikuar identitetin e tyre.

Një i dyshuar 19-vjeçar është dërguar në mbajtje, sipas komandantit të policisë lokale, Rick Edwards. Ai tha se policia beson që i dyshuari e njihte të paktën njërën prej viktimave.

Një person tjetër u gjet i armatosur me një pistoletë dhe fillimisht u ndalua, por policia tani beson se ai nuk ishte i përfshirë në sulm.

Zyrtari policor tha se tre oficerë jashtë detyrës ishin duke punuar brenda kampusit dhe shtatë të tjerë ndodheshin jashtë tij për ta drejtuar trafikun, kur ndodhën të shtënat.

Në orën 17 e 13 minuta sipas kohës lokale, policia në ndërtesë raportoi se dëgjoi të shtëna jashtë saj, shtoi ai.

Përpos pesë të lënduarve nga të shtënat, të cilët kanë pësuar lëndime jashtë rrezikut për jetë, dy persona të tjerë u rrëzuan dhe një vajzë 9 vjeçe u godit nga një veturë gjatë rrëmujës, njoftoi policia.

Lajme të ngjashme