Dy të vrarë e dhjetëra të plagosur nga sulmet ruse në Kiev e Kharkiv
Sulmet e rënda me raketa e dronë në Kiev dhe në qytetin verilindor ukrainas, Kharkiv, lanë të vrarë dy civilë, dhjetëra të tjerë u plagosën dhe u shkaktua dëm i gjerë material të martën, thanë zyrtarë ukrainas.
Nga këto sulme u goditën ndërtesa banimi e infrastruktura civile, disa orë pas paralajmërimit të presidentit rus, Vladimir Putin, se një sulm ajror në qytetin rus, Belgorod, për të cilin Moska tha se la të vrarë 24 civilë dhe për të cilin e fajësoi Ukrainën, “nuk do të kalojë i pandëshkuar”, raporton agjencia “Reuters”.
Rusia i ka shtuar sulmet ajrore ndaj Ukrainës gjatë periudhës së festave të fundvitit dhe të premten e kreu sulmin më të madh ajror që nga fillimi i luftës, duke vrarë 39 persona.
Forcat ruse sulmuan me valë të raketave të ndryshme gjatë periudhës me qarkullim të ngarkuar të mëngjesit të së martës. Autoritetet ushtarake lëshuan alarme për sulme ajrore që zgjatën të paktën tri orë.
Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, tha se një grua e moshuar kishte vdekur në një autoambulancë, pasi ishte plagosur. Ai më parë kishte thënë se të paktën 16 persona ishin plagosur në kryeqytet.
Ky zyrtar shtoi se gypat e gazit ishin dëmtuar në distriktin Pecherskyi të Kievit, ndërsa furnizimi me rrymë e ujë ishte ndërprerë në disa distrikte të qytetit. Sipas tij, autoritetet po fiknin zjarre në disa vende.
Humbja e furnizimit me rrymë e ujë i ktheu kujtimet e dimrit të kaluar, kur Rusia e kishte goditur me raketa rrjetin e energjisë, duke shkaktuar ndërprerje të shpeshta të rrymës e duke lënë miliona njerëz në terr.
Guvernatori rajonal i Kharkivit, Oleh Synehubov, tha se pjesa qendrore e qytetit Kharkiv u sulmua rreth orës 7 e 30 minuta të mëngjesit sipas kohës lokale. Ai shtoi se një person ishte vrarë nga ky sulm e 41 të tjerë ishin plagosur.