Dy të vdekur nga një zjarr i madh në natyrë në Greqi - NACIONALE

Dy të vdekur nga një zjarr i madh në natyrë në Greqi

1 vit më parë

nga NACIONALE

Dy persona vdiqën gjatë natës së kaluar nga një zjarr i madh në natyrë që po përhapej nëpër pyll në Greqi, afër një resorti bregdetar në jug të vendit, thanë autoritetet.

Shërbimi kundër zjarrit tha se rreth 350 zjarrfikës, të asistuar nga 18 aeroplanë me hedhje të ujit, arritën që në masë të madhe ta vinin nën kontroll të hënën herët zjarrin afër qytezës Xylokastro në rajonin e Peloponezit, raporton agjencia “Associated Press”.

Zyrtarët thanë se disa zjarre të shpërndara po vazhdonin në zonë, por se fronti i madh fillestar ishte shuar.

Banorët e gjashtë fshatrave u urdhëruan për t’u evakuuar gjatë natës si masë parandaluese, pasi zjarri kishte shpërthyer të dielën. Nuk kishte kërcënim për qytezën Xylokastro. Flaka u nxit edhe nga era shumë e fuqishme në pyllin e thatë pas pranverës së ngrohtë e verës së nxehtë, për të cilat janë përmendur si faktor ndryshimet klimatike.

Autoritetet thanë se dy burrat e vdekur besohej se ishin banorë lokalë që ishin shpallur të zhdukur të dielën vonë. Nuk u raportua për ndonjë të zhdukur tjetër. Nuk pati raportime të menjëhershme për shtëpi të djegura në zonën e prekur, që shtrihet rreth 150 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit Athinë.

Një zjarr tjetër në natyrë afër qytezës Andravida, në perëndim të Peloponezit, gjithashtu u vu nën kontroll të hënën, por zjarrfikësit qëndruan në gjendje gatishmërie në atë zonë për ndonjë vatër të re flakësh, tha shërbimi kundër zjarrit.

Greqia, njësoj si vendet e tjera të Evropës Jugore, preket nga zjarre shkatërruese në natyrë për çdo verë. Gjendja është përkeqësuar nga ngrohja globale. Gjatë muajve të fundit, autoritetet janë ballafaquar me mbi 4.500 zjarre në natyrë./Nacionale

Lajme të ngjashme