Dy të vdekur e dëme të shumta nga stuhia në pjesën qendrore të ShBA-së
Disa stuhi të fuqishme, përfshirë tornadot, era e breshëri përfshinë disa pjesë qendrore të Shteteve të Bashkuara të mërkurën, duke shkaktuar të paktën dy viktima, lëndime, shkatërrim të shtëpive e ndërprerje të rrymës për mijëra banorë.
Shërbimi Kombëtar i Motit filloi të lëshonte paralajmërime për tornado dhe stuhi të mërkurën në mbrëmje në Oklahoma, Kansas dhe Iowa. Parashikuesit e motit i paralajmëruan njerëzit që të gjenin strehë, raporton agjencia “Associated Press”.
Në pjesën qendrore të Oklahomas ndodhën disa tornado, përfshirë një që i preku komunitetet Shawnee dhe Cole të mërkurën në mbrëmje.
Autoritetet thanë se të paktën dy persona vdiqën në qytezën e vogël, Cole, të distriktit McClain dhe disa njerëz pësuan lëndime të ndryshme, përfshirë prerjet, mavijosjet e deri te nevoja për hospitalizim.
Disa linja të rrymës e drurë u rrëzuan, ndërsa shtëpitë dhe ndërtesat e tjera u dëmtuan rëndë ose u shkatërruan. Një universitet dhe një aeroport pësuan dëme para se stuhia të dobësohej.
Në kulmin e motit të ashpër, më shumë se 23 mijë konsumatorë mbetën pa furnizim me energji elektrike në Oklahoma, sipas një uebfaqeje për përcjelljen e ndërprerjes së rrymës.
Një televizion lokal raportoi se banorët në jug të qytetit Oklahoma po mbeten të ngujuar në strehimoret e tyre nën tokë, ndërsa ekipet e emergjencës po e përdorin sistemin GPS për t’i gjetur adresat.
Stuhitë këtë pranverë kanë sjellë tornado në pjesët jugore, verilindore e perëndimore të ShBA-së, duke shkaktuar dhjetëra viktima.
