Dy kompani ajrore amerikane e një italiane i pezullojnë fluturimet për në Tel Aviv
Kompania ajrore italiane, “ITA Airways”, i ka pezulluar përkohësisht fluturimet për dhe nga Tel Avivi i Izraelit.
“ITA Airways” iu bashkua në këtë masë dy kompanive të njohura amerikane, “United Airlines” dhe “Delta”, që i kanë anuluar shërbimet për dhe nga Izraeli ditëve të fundit për shkak të shqetësimeve për sigurinë, raporton televizioni CNN.
“Për shkak të zhvillimeve gjeopolitike në Lindje të Mesme dhe për ta garantuar sigurinë e pasagjerëve dhe ekuipazhit të saj, ITA Airways ka vendosur që t’i pezullojë fluturimet për dhe nga Tel Avivi nga sot, 1 gusht, deri më 6 gusht” – tha kompania italiane në rrjete sociale, duke shtuar se situata “po evoluon vazhdimisht”.
Kompania i këshilloi pasagjerët që ta kontrollonin statusin e fluturimit të tyre para se të niseshin për në aeroport.
Të hënën, kompania gjermane e fluturimeve, “Lufthansa”, e zgjati kohën e pezullimit të fluturimeve për në kryeqytetin e Libanit, Bejrut, të paktën deri të hënën “për shkak të zhvillimeve të tanishme në Lindje të Mesme”.