Dy çështje kyçe për ShBA-në: Pse u shty prapë votimi i rezolutës së OKB-së për Gazën? - NACIONALE

Dy çështje kyçe për ShBA-në: Pse u shty prapë votimi i rezolutës së OKB-së për Gazën?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Miratimi i një rezolute të re të Këshillit të Sigurimit për të nxitur ndihma shumë të nevojshme në Gaza e ndërprerje të luftimeve po pengohet nga dy çështje që për ShBA-në janë të rëndësishme: referenca ndaj ndërprerjes së armiqësive dhe angazhimit të OKB-së për inspektimin e kamionëve për t’u siguruar që ata vërtet janë duke transportuar ndihma humanitare.

Votimi i rezolutës së sponsorizuar nga vendet arabe, që fillimisht u shty të hënën, u shty përsëri për të mërkurën, përderisa vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit i vazhduan bisedimet intensive për të shmangur një veto tjetër nga Shtetet e Bashkuara, raporton agjencia “Associated Press”.

“Ende jemi duke punuar në modalitetet e rezolutës”- tha zëdhënësi i ShBA-së për Siguri Kombëtare, John Kirby, të martën pasdite, kur votimi ende parashihej të bëhej në orën 17 sipas kohës lokale. “Është e rëndësishme për ne që pjesa tjetër e botës të kuptojë se çfarë është në lojë këtu dhe çfarë bëri Hamasi më 7 tetor dhe si Izraeli ka të drejtë për ta mbrojtur veten kundër atyre rreziqeve”- shtoi ai.

Votimi të martën u shty, sepse Shtetet e Bashkuara kërkuan më shumë kohë dhe tani pritet që ky proces të zhvillohet pas një konference të hapur të Këshillit, të pasuar nga konsultimet me dyer të mbyllura rreth misionit politik të OKB-së në Afganistan të mërkurën në mëngjes.

Përmes draft-rezolutës që ishte në tavolinë të hënën në mëngjes bëhej thirrje për “ndërprerje urgjente e të qëndrueshme të armiqësive”, por kjo gjuhë u zbut në një draft të ri që po qarkullonte të martën herët.

Tani, në draft-rezolutë bëhet “thirrje për pezullim urgjent të armiqësive për ta lejuar qasjen e sigurt dhe të papenguar humanitare dhe për hapa urgjentë drejt një ndërprerjeje të qëndrueshme të armiqësive”.

Shtetet e Bashkuara në të kaluarën e kanë kundërshtuar gjuhën për ndërprerjen e armiqësive dhe disa diplomatë, të cilët kanë folur në kushte anonimiteti, sepse diskutimet kanë qenë private, thanë se kjo çështje mbetet problem për amerikanët.

Në draft-rezolutë i bëhet thirrje edhe sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, që të themelojë një mekanizëm për vëzhgimin e shpërndarjes së ndihmave në Gaza. Diplomatët thanë se edhe kjo temë paraqet problem, sepse e tejkalon inspektimin e tanishëm izraelit të ndihmave që futen në enklavë.

Lajme të ngjashme