Dy bombardues strategjikë rusë “Tu-95MC” fluturuan afër Alaskës së ShBA-së
Rusia tha të mërkurën se dy bombardues strategjikë të tipit “Tu-95MC” të forcave ajrore të saj fluturuan mbi ujërat afër Alaskës së Shteteve të Bashkuara, por shtoi se ata qëndruan në hapësirë ajrore ndërkombëtare.
Aeroplanët që nga NATO-ja njihen si “arinj” fluturuan për rreth nëntë orë, të shoqëruar nga aeroplanët luftarakë të tipit “SU-30SM”. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se ata fluturuan mbi detet Bering e Çuçki, raporton agjencia “Reuters”.
“Fluturimi u krye në përputhje të rreptë me rregullat ndërkombëtare për përdorimin e hapësirës ajrore” – tha Gjeneral Lejtnant Sergei Kobylash, komandant i aviacionit rus me rreze të gjatë.
Komanda Aero-hapësinore e Mbrojtjes e Amerikës Veriore tha se kishte vërejtur katër aeroplanë ushtarakë rusë duke operuar në Zonën Ajrore Identifikuese të Mbrojtjes të Alaskës.
“Aeroplanët rusë mbetën në hapësirë ajrore ndërkombëtare dhe nuk hynë në hapësirën ajrore sovrane amerikane ose kanadeze” – thuhet në deklaratën e kësaj komande.
Presidenti rus, Vladimir Putin, më 2007 e ringjalli praktikën e periudhës sovjetike të dërgimit të bombarduesve strategjikë në patrulla të rregullta përtej kufijve të Rusisë.
Aeroplani “Tu-95” ka katër motorë dhe hyn në kategorinë e bombarduesit amerikan “B-52”.