Dy adoleshentë belgë arrestohen me 5.000 milingona të trafikuara në Kenia
Dy adoleshentë belgë u akuzuan në Kenia për piratëri të botës së egër, pasi u kapën me mijëra milingona të vendosura në epruveta në atë që autoritetet në Kenia thanë se ishte pjesë e një trendi të trafikimit të specieve më të vogla e më pak të njohura.
Lornoy David dhe Seppe Lodewijckx, të dy 19 vjeç, u arrestuan më 5 prill me pesë mijë milingona në një bujtinë. Ata u dukën të shqetësuar gjatë paraqitjes para një gjykatësi në Nairobi dhe u ngushëlluan në sallën e gjykatës nga të afërmit e tyre. Të rinjtë i thanë gjykatësit se po grumbullonin milingona për zbativje dhe se nuk e dinin që një gjë e tillë ishte e paligjshme, raporton televizioni CNN.
Në një rast tjetër penal, keniani Dennis Ng’ang’a dhe vietnamezi Duh Hung Nguyen gjithashtu u ngarkuan me akuzën për trafikim ilegal në sallën e njëjtë të gjykatës, pas arrestimit të tyre në posedim të 400 milingonave.
Shërbimi i Botës së Egër në Kenia tha se katër burrat ishin të përfshirë në trafikimin e milingonave drejt tregjeve në Evropë e Azi dhe se në mesin e specieve ishte edhe një lloj milingone me ngjyrë të kuqe që është native në Afrikën Lindore.
Eksportimi ilegal i milingonave “jo vetëm që i minon të drejtat sovrane të Kenias mbi biodiversitetin e saj, por gjithashtu i privon komunitetet lokale dhe institucionet kërkimore nga përfitimet e mundshme ekologjike dhe ekonomike”, tha ky shërbim në një deklaratë.
Kenia në të kaluarën e ka luftuar trafikimin e pjesëve të trupave të specieve më të mëdha të kafshëve të egra si elefantët e rinoqerontët.
Dy belgët u arrestuan në distriktin Nakuru të Kenias, ku ndodhen disa parqe kombëtare. Pesë mijë milingonat u gjetën në një bujtinë ku po qëndronin dy të rinjtë dhe ishin të vendosura në 2.244 epruveta që ishin të mbushura me lesh pambuku për t’ua mundësuar milingonave mbijetesën për disa muaj./Nacionale