Drejtuesit e trenave në Gjermani e nisin grevën 6-ditore, pengesa të mëdha në transport - NACIONALE

Drejtuesit e trenave në Gjermani e nisin grevën 6-ditore, pengesa të mëdha në transport

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Drejtuesit e trenave në Gjermani shkaktuan ndërprerje pothuajse të plotë të transportit hekurudhor përsëri të mërkurën herët, kur e nisën grevën 6-ditore për t’i çuar përpara kërkesat e tyre pas mosmarrëveshjes së ashpër me operatorin kryesor të hekurudhave për orët e punës dhe pagat.

Greva e sindikatës GDL do t’i prekë shërbimet për pasagjerë dhe trenat e mallrave që menaxhohen nga kompania shtetërore “Deutsche Bahn” deri në orën 18 të hënën, raporton agjencia “Associated Press”.

Kjo sindikatë kishte mbajtur një grevë treditore më herët këtë muaj dhe dy dalje nga vendi i punës vitin e kaluar, të cilat kishin zgjatur deri në 24 orë.

Të mërkurën, transporti hekurudhor në mbarë vendin dhe në shumë qytete u ndal përsëri. Udhëtarët patën vështirësi për të gjetur alternativa, duke u detyruar që të udhëtonin me autobusë të linjave të gjata, vetura ose aeroplanë.

Si gjatë grevave të mëparshme, rreth 80 për qind e linjave të gjata të trenave u anuluan, por ka kufizime të konsiderueshme edhe në shërbimet rajonale, sipas kompanisë “Deutsche Bahn”.

Përpos rritjes së pagave, sindikata po kërkon që numri i orëve të punës të zvogëlohet nga 38 në 35 në javë pa ulje rroge, kërkesë që kompania “Deutsche Bahn” deri më tani e ka refuzuar.

Të mërkurën, kompania përsëri i refuzoi propozimet e sindikatës për të qenë si bazë për bisedime të ardhshme, duke i quajtur “përsëritje të kërkesave maksimaliste të njohura mirë”, raportoi agjencia gjermane e lajmeve, DPA.

Lajme të ngjashme