Drejtori i CIA-s prapë në Egjipt për vazhdimin e bisedimeve për armëpushim në Gaza - NACIONALE

Drejtori i CIA-s prapë në Egjipt për vazhdimin e bisedimeve për armëpushim në Gaza

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) të ShBA-së, William Burns, do të shkojë përsëri në Egjipt të martën për vazhdimin e bisedimeve për arritjen e një armëpushimi në Gaza, i tha televizionit CNN një burim i afërt me këto takime, përderisa Uashingtoni dhe ndërmjetës të tjerë po synojnë që ta përtërijnë përpjekjen për arritjen e një pakti.

Bisedimet kryesore në Kajro janë në nivelin e punimeve dhe Burnsi nuk pritet që të bëhet pjesë e tyre, por ai do të takohet me delegacione të ndryshme. Edhe Izraeli e Katari kanë thënë se do të dërgojnë ekipe, raporton televizioni amerikan.

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Katarit e përshkroi rundin e ri të bisedimeve në Kajro si “bisedime të tërthorta mes dy palëve”, pasi ekipi izraelit nuk pritet që të takohet me përfaqësues të Hamasit.

Burnsi u kthye në Kajro në fund të javës së kaluar para se të shkonte në Doha të Katarit në fundjavë për bisedime të mëtejme për një marrëveshje të mundshme armëpushimi në Gaza.

Në Doha, ai ofroi ndihmë për ndryshimin e kornizës me përfaqësuesit e Katarit që më vonë iu paraqit Hamasit. Ky grup tha të hënën se i pranon kushtet e propozimit.

Sidoqoftë, Izraeli tha se kushtet e propozimit janë “larg” përmbushjes së kërkesave të tij dhe paralajmëroi se do të vazhdojë me operacionin ushtarak në Gaza.

Lajme të ngjashme