Donald Trump pajtohet për debat presidencial në Fox News me Kamala Harris
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se është pajtuar për të marrë pjesë në një debat të organizuar nga Fox News më katër shtator.
Siç raporton “CNN”, ai nuk do të marrë pjesë në një debat për të cilin ishte pajtuar paraprakisht, ky i organizuar nga ABC, gjatë kohës së Joe Biden ishte kandidat për president.
Trump ka thënë se debati i ri do të mbahej në Pennsylvania me një audiencë “live” dhe se moderatët do të ishin Bret Baier dhe Martha McCallum.
Është ende e paqartë nëse zëvendëspresidentja, Kamala Harris e ka pranuar ftesën nga Fox News.
“Jam pajtuar me FoxNews për të debatuar me Kamala Harris të mërkurën, katër shtator. Debati ishte paraparë të mbahej kundër “Sleepy Joe Biden” në ABC, por kjo ka përfunduar pasi Biden nuk do të jetë më pjesëmarrës.” – ka thënë ai.
“Debati i FoxNews do të mbahet në Pennsylvania, në një hapësirë që pritet të vendoset. Moderatorët do të jenë Bret Baier dhe Martha McCallum, dhe rregullat do të jenë të ngjajshme me rregullat nga debati im me Joe-n e fjetur, i cili është trajtuar tmerrësisht nga partia e tij, por me një audiencë.” – ka thënë ai, transmeton Nacionale.
Nuk dihet ende nëse Harris do të pajtohej me këto kushte.
Kampanja e Harris nuk është përgjigjur në pyetjet e CNN për një koment rreth këtyre zhvillimeve.