Djali i Bolsonaros e lavdëron rritjen e taksave të Trumpit kundër vendit të tij, Brazilit - NACIONALE

Djali i Bolsonaros e lavdëron rritjen e taksave të Trumpit kundër vendit të tij, Brazilit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Djali i ish-presidentit brazilian, Jair Bolsonaro, e ka lavdëruar presidentin amerikan, Donald Trump, për vendosjen e taksave të larta ndaj vendit të tij dhe ka paralajmëruar se masa shtesë mund të jenë rrugës.

Eduardo Bolsonaro, i cili është kongresist i zgjedhur në Brazil, foli me televizionin BBC në Uashington, ku ai ndodhet me muaj në një fushatë lobuese për ta bindur administratën e Trumpit që t’i ndëshkojë autoritetet braziliane për vënien e babait të tij para gjyqit nën akuzën se kishte bërë komplot për puç, raporton televizioni britanik.

Kongresisit brazilian tha se mund të ketë sanksione të reja ndaj individëve të caktuar. “Është një mundësi shumë domethënëse në lidhje me zbatimin e sanksioneve dhe zgjerimin e sanksioneve “Magnitsky” ndaj njerëzve të tjerë” – paralajmëroi ai.

“Për shembull, mbi tavolinën e sekretarit Marco Rubio është mundësia e tërheqjes së vizave, mes mekanizmave të tjerë të presionit, në përpjekje për ta nxjerrë Brazilin nga kjo krizë institucionale të cilën po e përjetojmë” – shtoi Bolsonaro i ri.

“Unë e admiroj presidentin Trump, jemi takuar disa herë në mandatin e tij të parë dhe në të dytin. Ne së pari luftuam për ta sanksionuar Alexandre de Moraes-in [gjykatës i Gjykatës Supreme të Brazilit që po merret me rastin kundër babait të tij], por nëse presidenti Trump fillon me taksa, unë besoj se ai ka të drejtë dhe e mbështes atë për shkak të kësaj” – tha djali i ish-presidentit brazilian.

Në Shtëpinë e Bardhë të enjten, presidenti Trump e akuzoi Brazilin se është partner tregtar i keq. Ai në mënyrë të pasaktë pretendoi se Shtetet e Bashkuara kanë deficit tregtar me Brazilin. Vitin e kaluar, ShBA-ja pati suficit tregtar prej 7,4 miliardë dollarësh me shtetin më të madh të Amerikës së Jugut.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë gjithashtu e mbrojti ish-presidentin Bolsonaro: “Ky vërtet është një ekzekutim politik që ata po mundohen ta bëjnë me Bolsonaron. Mendoj se kjo është e tmerrshme” – tha Trumpi.

Ish-presidenti brazilian akuzohet se ka bërë komplot për puç që t’ia parandalonte ardhjen në pushtet tashmë presidentit Luiz Inacio Lula da Silva, i cili i fitoi zgjedhjet presidenciale në vitin 2022. Bolsonaro ka mohuar se i ka udhëhequr përpjekjet për ta rrëzuar Qeverinë, por ka pranuar se ka marrë pjesë në takime që e kanë pasur për qëllim zhbërjen e humbjes së tij në zgjedhje.

Një vendim për rastin pritet të merret në javët në vijim. Nëse shpallet fajtor, Bolsonaro mund të dënohet me disa dekada burgim./Nacionale

Lajme të ngjashme