Disa të afërm të pengjeve izraelite nisen drejt Holandës, do të ankohen në GjNP për krime lufte
Një delegacion i të afërmve të pengjeve izraelite që po mbahen nga Hamasi në Gaza të mërkurën në mëngjes u nisën nga aeroporti “Ben Gurion” drejt Hagës, ku do të paraqesin ankesa për krime lufte kundër udhëheqësve të Hamasit në Gjykatën Ndërkombëtare Penale.
Duke folur në aeroport para nisjes së fluturimit, Ofri Bibas, motra e Yarden Bibas-it, që është rrëmbyer nga vendbanimi Nir Oz bashkë me gruan dhe dy fëmijët më 7 tetor, tha se Hamasi është pasardhës i nazistëve dhe se ky grup duhet të mbahet përgjegjës për krimet e tij, raporton gazeta “The Times of Israel”.
“I tërë njerëzimi duhet të qëndrojë i vendosur përballë një ushtria terroriste globale në të cilën Hamasi është një batalion që vepron në shërbim të saj” – tha Bibas.
“Përbindëshat njerëzorë që na lënduan ne dhe anëtarët e familjes sonë janë pasardhës të Hitlerit, Eichmann-it dhe Goebbels-it, njerëz që tashmë janë mbajtur përgjegjës. Tani ka ardhur koha për ta bërë këtë përsëri. Ky nuk është vetëm rrëfimi unë. Nëse nuk e ndalim këtë, nesër do të jetë rrëfimi i tërë botës” – shtoi ajo.
Rreth 100 përfaqësues të familjeve të pengjeve që po mbahen nga Hamasi në Gaza do të udhëtojnë në Holandë si pjesë e këtij delegacioni, bashkë me dhjetëra avokatë që kanë dhënë ndihmë për hartimin e ankesës ligjore në GjNP, gjykatë që merret me ndjekjen penale të individëve për shkelje serioze të Konventave të Gjenevës e që përbëjnë krime lufte, nëse ata janë qytetarë të shteteve nënshkruese, siç është Autoriteti Palestinez.
Izraeli nuk e ka ratifikuar Statutin e Romës, me të cilin është themeluar Gjykata Ndërkombëtare Penale, prandaj nuk e sheh veten subjekt të juridiksionit të saj.
Besohet se edhe rreth 130 pengje të rrëmbyera nga Hamasi gjatë sulmit të 7 tetorit ndodhen ende në Gaza – jo të gjitha gjallë – pasi 105 civilë ishin liruar gjatë armëpushimit njëjavor të nëntorit, ndërsa katër pengje të tjera ishin liruar para këtij armëpushimi. Tri pengje janë shpëtuar nga ushtarët izraelitë, përfshirë dy këtë javë, ndërsa janë gjetur trupat e 11 pengjeve, përfshirë tre të vrarë gabimisht nga ushtria.