Disa spanjollë u prezantuan si Brad Pitti dhe përfituan qindra mijëra euro nga dy gra
Policia spanjolle ka arrestuar pesë persona të akuzuar për përfitim të 325 mijë eurove duke u prezantuar si ylli i Hollivudit, Brad Pitt, në internet.
Të dyshuarit i kontaktuan gratë në një faqe interneti për simpatizantët e aktorit që e ka fituar Çmimin Oskar dhe i shtynë që të besonin se “kishin një marrëdhënie sentimentale me të”, tha policia spanjolle të hënën përmes një deklarate.
Duke u prezantuar si Pitti, anëtarët e bandës pastaj dyshohet se i nxitën gratë që të investonin në projekte që nuk ekzistonin, raporton gazeta “The Guardian”.
Njëra grua, nga rajoni jugor i Andaluzisë, u mashtrua duke humbur 175 mijë euro, ndërsa tjetra, nga rajoni verior bask, humbi 150 mijë euro.
“Kriminelët kibernetikë, për t’i zaptuar viktimat, i kishin studiuar rrjetet e tyre sociale dhe kishin bërë një profil psikologjik të tyre, duke zbuluar kështu se të dyja gratë ishin persona të cenueshëm, në mungesë të dashurisë dhe në gjendje depresioni” – tha policia.
“Ata gjithashtu përdorën platforma për mesazhe për të shkëmbyer porosi e shkresa elektronike me dy gratë derisa ato arritën në një pikë që besuan se po komunikonin përmes WhatsApp-it me vetë Brad Pittin, i cili iu premtoi atyre një marrëdhënie romantike dhe një të ardhme së bashku” – thuhet më tej.
Policia arrestoi pesë persona në rajonin jugor të Andaluzisë, përfshirë udhëheqësit e dyshuar të grupit.
Autoritetet bastisën pesë shtëpi si pjesë e operacioneve, duke sekuestruar disa telefona, kartela bankare, dy kompjuterë dhe një ditar “ku ishin shkruar fraza që përdoreshin nga mashtruesit për t’i mashtruar viktimat e tyre”.
Oficerët arritën që të rikthenin 85 mijë euro që ishin siguruar përmes mashtrimit të dy grave./Nacionale