Disa minuta për t'u larguar: Alavitët e Sirisë nxirren nga shtëpitë private nën tytën e armëve - NACIONALE

Disa minuta për t'u larguar: Alavitët e Sirisë nxirren nga shtëpitë private nën tytën e armëve

1 vit më parë

nga NACIONALE

Në një mbrëmje në fund të janarit, 12 burra të maskuar u futën në shtëpinë e familjes së Um Hassanit në Damask, ua drejtuan pushkët AK-47 në fytyrë dhe i urdhëruan që të largoheshin.

Kur familja i paraqiti dokumentet e pronësisë, të maskuarit e arrestuan vëllanë e madh të zonjës Um Hassan dhe thanë se ai do të lirohej vetëm kur familja ta lironte shtëpinë. Familja e dorëzoi ndërtesën 24 orë më vonë dhe e mori anëtarin e vet, të rrahur e të mavijosur, nga selia qendrore e Shërbimit të Përgjithshëm të Sigurisë, tha Um Hassan, duke e treguar vetëm nofkën për shkak të frikës nga hakmarrja, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Familja e saj është pjesë e komunitetit pakicë të alavitëve të Sirisë, degë e besimit shiit dhe sekt i ish-presidentit autoritar sirian, Bashar al-Assad. Rrëfimi i tyre nuk është unik.

Që nga ardhja në pushtet e presidentit Ahmed al-Sharaa në dhjetor, qindra pjesëtarë të komunitetit alavit janë detyruar që të largohen nga shtëpitë e tyre private në Damask nga forcat e sigurisë, sipas zyrtarëve sirianë, udhëheqësve të komunitetit, grupeve për të drejtat e njeriut dhe 12 personave me rrëfime të ngjashme, të cilët biseduan me agjencinë “Reuters”.

“Definitivisht nuk po flasim për incidente të pavarura. Po flasim për qindra, nëse jo mijëra, raste të dëbimeve” – tha Bassam Alahmad, drejtor ekzekutiv i grupit për të drejtat e njeriut, Sirianët për të Vërtetën dhe Drejtësinë (STJ).

Për dëbimet masive të anëtarëve të komunitetit alavit nga shtëpitë që janë në pronësi private nuk është raportuar më parë.

Për më shumë se 50 vjet, Assadi dhe babai i tij, që gjithashtu ishte në pushtet, kishin shtypur çfarëdo opozite nga myslimanët sunitë të Sirisë, të cilët përbëjnë më shumë se 70 për qind të popullsisë. Alavitët kishin marrë shumë prej pozitave të larta në Qeveri dhe në ushtri si dhe udhëhiqnin biznese të mëdha.

Tani, ata i akuzojnë përkrahësit e presidentit Sharaa, i cili dikur drejtonte një filial të Al Qaedas, për abuzim sistematik ndaj tyre si hakmarrje.

Në mars, qindra alavitë u vranë në rajonin perëndimor bregdetar të Sirisë dhe dhuna sektare u përhap në Damask si hakmarrje e qartë për një pritë vdekjeprurëse ndaj forcave të reja të sigurisë nga besnikët e armatosur të Assadit.

Dy zyrtarë qeveritarë thanë se mijëra njerëz janë dëbuar nga shtëpitë e tyre në Damask që nga koha kur Assadi u rrrëzua nga pushteti nga forcat rebele të Sharaas dhe shumica e të larguarve nga shtëpitë janë alavitë.

Zyrtarët thanë se shumica e të dëbuarve banonin në ndërtesa qeveritare të lidhura me vendet e tyre të punës në institucione shtetërore dhe, pasi ata nuk ishin më të punësuar, e kishin humbur edhe të drejtën për të qëndruar në ato objekte.

Megjithatë, qindra të tjerë, si zonja Um Hassan, u dëbuan nga shtëpitë e tyre në pronësi private thjesht pse ishin alavitë, sipas intervistave të agjencisë “Reuters” me shumë zyrtarë e viktima./Nacionale

Lajme të ngjashme