Disa grupe thonë se Irani e ka ekzekutuar “nusen fëmijë” për vrasjen e burrit
Disa grupe të të drejtave të njeriut e kanë dënuar ekzekutimin e një gruaje në Iran që ishte shpallur fajtore për vrasjen e burrit me të cilin ishte detyruar të martohej në moshë të fëmijërisë.
Organizata “Amnesty International” tha se “është e tmerruar nga raportimet” për “ekzekutimin e tmerrshëm” në Iran të nënës së dy fëmijëve, Samira Sabzian, raporton Radio “Evropa e Lirë”.
Raportohet se zonja Sabzian u var të mërkurën në mëngjes në burgun “Ghezel Hesar” në qytetin Karaj, sipas grupeve për të drejtat e njeriut, edhe pse mediat shtetërore nuk raportuan për këtë ekzekutim.
Sabzian ishte në burg gjatë dekadës së kaluar. Irani thuhet se e kreu ekzekutimin e saj pavarësisht nga zhvillimi i një fushate ndërkombëtare për zbutje të dënimit.
Përmes një shkrimi të publikuar në rrjete sociale, organizata “Amnesty International” i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që “urgjentisht t’u bëjnë thirrje autoriteteve të Iranit që menjëherë të vendosin moratorium zyrtar ndaj ekzekutimeve”, duke theksuar se të paktën 115 persona janë ekzekutuar në Iran vetëm gjatë muajit nëntor.
Grupi me bazë në Norvegji, Të Drejtat e Njeriut në Iran, tha se Sabzian ishte nuse fëmijë që ishte martuar me burrin e saj në moshën 15-vjeçare dhe kishte qenë viktimë e dhunës në familje, sipas të afërmve të saj.
“Samira ishte viktimë e viteve me aparteid gjinor, martesë në fëmijëri dhe dhunë në familje dhe sot ajo ra viktimë e makinerisë së paaftë e të korruptuar të regjimit për vrasje”- tha drejtori i kësaj organizate, Mahmood Amiry-Moghaddam.
Zyra e Komisionarit të Lartë për të drejtat e Njeriut në OKB tha se është “e alarmuar” nga ky ekzekutim.
Ekzekutimi i kësaj gruaje ndodhi në kohën e shtimit të shqetësimit për numrin e personave të ekzekutuar këtë vit në Iran, ku qindra njerëz janë varur kryesisht nën akuza për drogë e vrasje, përfshirë më shumë se dhjetë gra.